PARTIZANI U19, GATI PËR SFIDËN EUROPIANE

Europa thërret dhe Partizani U19 është gati.

Të kuqtë po bëjnë përgatitjet e fundit për debutimin në UEFA Youth League, aty ku më 16 shtator, në orën 20:00, do të përballen me kampionët e Maltës, Vallettën, në stadiumin Ta’ Qali.

 

Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti do të udhëtojë drejt Maltës me një objektiv të qartë: të marrë një rezultat pozitiv dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

 

Kjo do të jetë eksperienca e parë europiane për të rinjtë e Partizanit, të cilët do të kenë mundësinë të përfaqësojnë ngjyrat e kuqe në një prej kompeticioneve më prestigjioze të futbollit europian për të rinj.

Përballë do të jetë Valletta, një kundërshtar që te Partizani po vlerësohet maksimalisht. Tradita e përballjeve të ekipit të parë me skuadrat malteze favorizon të kuqtë, por këtë herë historia shkruhet nga një brez i ri.

 

Për Fatjon Muhametin dhe djemtë e tij, vëmendja është vetëm te fusha dhe te 90 minutat e para në Maltë.

 

Valletta – Partizani, 16 shtator, ora 20:00.

 

Një mbrëmje europiane dhe një kapitull i ri që nis për të rinjtë e kuq.