KATEGORIA E DYTË | GRUPI A | JAVA 6
Një Partizan dominues, efikas dhe me një oreks të jashtëzakonshëm për golin. Të kuqtë e drejtuar nga Alfred Deliallisi kanë regjistruar një fitore spektakolare në javën e gjashtë të Kategorisë së Dytë, Grupi A, duke mposhtur me rezultatin e thellë 0-7 Veleçikun, në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Vëllezërit Duli” në Koplik.

Një sukses që erdhi pas një paraqitjeje mjaft pozitive të kryeqytetasve, të cilët kontrolluan ritmin e lojës dhe shfrytëzuan me efikasitet mundësitë e krijuara përpara portës kundërshtare. Shtatë gola, gjashtë autorë të ndryshëm dhe një tjetër dëshmi e potencialit që zotëron grupi i futbollistëve të rinj të skuadrës së dytë të Partizanit.
Takimi nisi me të kuqtë më kërkues në fazën sulmuese, ndërsa për zhbllokimin e rezultatit u desh të pritej minuta e 23-të. Ishte Qokthi ai që gjeti rrugën e rrjetës, duke kaluar Partizanin B në avantazh dhe duke i dhënë drejtimin e dëshiruar sfidës.

Vetëm njëmbëdhjetë minuta më vonë, në të 34-tën, Diallo realizoi golin e dytë për kryeqytetasit. Një tjetër finalizim që përforcoi epërsinë e të kuqve, të cilët shkuan drejt dhomave të zhveshjes me avantazhin e dy golave.
Pjesa e dytë do të sillte një tjetër ritëm në aspektin e realizimeve. Partizani B u rikthye në fushë me të njëjtin përqendrim dhe vetëm tre minuta pas rifillimit, Roki Toma shënoi golin e tretë. Futbollisti vijon të japë një kontribut të rëndësishëm për skuadrën B, duke treguar vazhdimësi dhe duke qenë një alternativë e vlefshme në fazën përfundimtare të aksioneve.

Por protagonisti i minutave në vijim do të ishte Frenklin Ozor. Sulmuesi nigerian, vetëm 19 vjeç, arriti të realizonte dy herë brenda një harku kohor prej katër minutash. Fillimisht në minutën e 56-të dhe më pas në të 60-tën, Ozor dërgoi topin në rrjetë, duke regjistruar dopietën personale dhe duke thelluar avantazhin e Partizanit B në pesë gola.
Një paraqitje që merr vlera të veçanta edhe për moshën e re të futbollistit nigerian, i cili po shfrytëzon hapësirat e dhëna për të treguar cilësitë e tij në repartin ofensiv.
Me rezultatin tashmë të konsoliduar, skuadra e Deliallisit nuk e uli ritmin. Në minutën e 70-të, Qamili shtoi emrin në listën e golashënuesve, duke realizuar golin e gjashtë të takimit.
Vetëm gjashtëdhjetë sekonda më vonë erdhi edhe finalizimi i shtatë. Mangalalo, i aktivizuar gjatë pjesës së dytë, arriti të gjente rrugën e rrjetës rreth dhjetë minuta pas hyrjes në fushë. Një përgjigje e menjëhershme nga sulmuesi, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 0-7.
Përtej suksesit të thellë, një tjetër element pozitiv për stafin teknik ishte rikthimi i Sulos. Futbollisti e nisi përballjen nga minuta e parë, pas një periudhe të gjatë mungese si pasojë e dëmtimit. Rikthimi i tij në formacion përbën një zhvillim të rëndësishëm për skuadrën, duke shtuar alternativat në dispozicion të trajnerit Alfred Deliallisi.
Në këtë përballje, tekniku i të kuqve i besoi formacionit me Baben në portë, ndërsa nga minuta e parë u aktivizuan edhe Diallo, Bakalli, Qamili, Gjuzi, Bajraktari, kapiteni Kokomani, Sulo, Ozor, Qokthi dhe Toma. Gjatë takimit hapësira pati edhe për Mangalalon, Allmuçën, Topallin dhe Mashin.
Fitorja në Koplik merr rëndësi jo vetëm për përmasat e rezultatit, por edhe për mënyrën se si u interpretua ndeshja. Partizani B tregoi organizim, vazhdimësi në lojën sulmuese dhe një shpërndarje të golave mes disa futbollistëve, elementë që dëshmojnë kontributin kolektiv të skuadrës.
Një tjetër tregues pozitiv është aktivizimi dhe kontributi i futbollistëve të rinj, të cilët përmes kampionatit të Kategorisë së Dytë po marrin minuta të rëndësishme dhe eksperiencën e nevojshme për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Pas këtij suksesi, vëmendja e Partizanit B zhvendoset te angazhimi i radhës në kampionat. Më 11 nëntor, në kuadër të javës së shtatë, të kuqtë do të presin Erzenin, me synimin për t’i dhënë vazhdimësi paraqitjes pozitive dhe rezultatit bindës të regjistruar në transfertën e Koplikut.



















