PARTIZANI THYEN TABUNË, FITORE ME PESHË NDAJ VLLAZNISË !

Vajzat e kuqe triumfojnë 1-0 ndaj  13 herë kampioneve të Shqipërisë. Tuhana Çifliku vendos sfidën në minutën e 76-të, ndërsa Partizani ngjitet në vendin e tretë me 15 pikë.

Ka fitore që vlejnë më shumë se tri pikë dhe suksesi i Partizanit ndaj Vllaznisë është padyshim një prej tyre. Vajzat e kuqe kanë regjistruar një fitore me peshë të veçantë në javën e shtatë të Kategorisë Superiore, duke mposhtur me rezultatin 1-0 skuadrën shkodrane, 13 herë kampione të Shqipërisë.

Në një përballje të luftuar në Fushën Sportive në Kamëz, skuadra e drejtuar nga Cyme Lulaj tregoi karakter, disiplinë taktike dhe mbi të gjitha një shpirt të jashtëzakonshëm sakrifice. Një sukses i ndërtuar mbi forcën e grupit, përkushtimin në çdo duel dhe dëshirën për të marrë maksimumin përballë një kundërshtari me traditë në futbollin shqiptar të femrave.

 

Një plan taktik i përgatitur me kujdes dhe i zbatuar me përpikëri në fushën e lojës ishte një prej elementëve përcaktues të kësaj fitoreje. Trajnerja Cyme Lulaj kishte përgatitur një organizim që kufizoi hapësirat e kundërshtarit, duke i dhënë skuadrës ekuilibër dhe siguri përgjatë gjithë takimit.

Në portë, Irena Ndreu ishte një garanci e vërtetë për vajzat e kuqe. Me ndërhyrjet dhe sigurinë e saj, ajo u shndërrua në një pengesë të pakalueshme për sulmet e Vllaznisë, duke ruajtur të paprekur portën e Partizanit.

Një meritë të veçantë pati edhe Arlinda Kodra, e cila këtë herë mori përsipër një detyrë ndryshe nga roli i saj natyral. Edhe pse sulmuese, Kodra iu përgjigj në mënyrë të shkëlqyer besimit të trajneres Lulaj, duke realizuar një mbulim të rreptë të sulmueses Doçi . Disiplina, vendosmëria dhe sakrifica e saj ishin një tjetër dëshmi e frymës kolektive që karakterizoi Partizanin në këtë përballje.

Minutat kalonin dhe sfida ruante ekuilibrin, por vajzat e kuqe vazhdonin të besonin te mundësia për të marrë fitoren. Përpjekjet dhe këmbëngulja do të shpërbleheshin në minutën e 76-të.

Tuhana Çifliku, një prej afrimeve më të vlefshme të merkatos së verës, gjeti rrugën e rrjetës, duke realizuar golin që ndezi festën në kampin e kuq. Një moment vendimtar që konkretizoi punën dhe përkushtimin e skuadrës, duke i dhënë Partizanit avantazhin 1-0.

Minutat e mbetura sollën emocione dhe intensitet. Vllaznia kërkoi të rikthente ekuilibrin, por vajzat e kuqe treguan pjekuri në administrimin e rezultatit. Me përqendrim maksimal, organizim dhe sakrificë në çdo repart, Partizani mbrojti deri në fund avantazhin, duke siguruar një fitore të merituar.

Vërshëllima përfundimtare konfirmoi një sukses me domethënie të veçantë. Partizani arrin të thyejë tabunë përballë një kundërshtari historikisht të fortë, duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm të skuadrës dhe punën e bërë nga stafi teknik.

Tri pikë që ndryshojnë edhe pozitat në klasifikim. Me këtë fitore, Partizani ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe pozicionohet në vendin e tretë, duke lënë pas pikërisht Vllazninë dhe duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit sezonal, kualifikimit në zonën Final Four.

Një rezultat që i jep skuadrës besim dhe motivim për vazhdimësinë e kampionatit. Vajzat e kuqe po tregojnë se përkushtimi, puna e përditshme dhe besimi te njëra-tjetra janë themelet mbi të cilat po ndërtojnë ambiciet e tyre.

Tashmë vëmendja do të zhvendoset te përballja e ardhshme ndaj Kinostudios, ku skuadra e Cyme Lulajt do të synojë të ruajë ritmin pozitiv dhe të konsolidojë pozitat në pjesën e sipërme të renditjes.

KATEGORIA SUPERIORE VAJZA | JAVA 7

PARTIZANI – VLLAZNIA 1-0

Goli: Tuhana Çifliku 76′

Fusha: QKS Kamëz

Formacioni: Ndreu (P), Hida, T. Hasanaj, E. Hasanaj, Baftia (K), Demushi, Doçe, Kadiolli, Habili, Çifliku, Kodra.

U aktivizuan: Klleci, Jahelezi, Hyseni, Lleshi.

Trajnere: Cyme Lulaj

Asistent: Ermal Serjani