PARTIZANI VAJZA – VLLAZNIA, DUEL DIREKT PËR OBJEKTIVIN “FINAL FOUR”
Vajzat e kuqe presin Vllazninë në Kamëz, një përballje me peshë për renditjen dhe objektivat sezonalë.
Vajzat e kuqe gati për një tjetër përballje të rëndësishme në kampionat. Në javën e 7-të të Kategorisë Superiore, skuadra e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj do të presë Vllazninë, të shtunën, më 14 nëntor, në Qendrën Kombëtare Sportive Kamëz.

Skuadra e kuqe vjen në këtë takim me moralin e lartë pas suksesit të rëndësishëm në transfertë ndaj Egnatias, ku triumfuan me rezultatin 0:2, falë realizimeve të Estrela Habilit dhe Anxhela Kodrës. Një fitore me vlera për Partizanin, që konfirmoi ambiciet e skuadrës për të qenë mes katër ekipeve më të mira të kampionatit.
Përballë do të jetë një kundërshtar i fortë dhe me traditë në futbollin shqiptar të femrave. Vllaznia vjen në këtë sfidë pas disfatës së pësuar në Shkodër ndaj Apolonisë me rezultatin 0:3 në Shkodër .
Interesante është edhe situata në renditje, ku të dyja skuadrat ndodhen në kuotë të barabartë pikësh pas gjashtë javëve të para. Një fakt që e bën këtë përballje edhe më të rëndësishme, pasi tri pikët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në garën për pozicionet e kreut.
Për Partizanin, synimi mbetet i qartë: sigurimi i një vendi në zonën “Final Four”, objektivi kryesor i vajzave të kuqe për këtë sezon. Pas suksesit ndaj Egnatias, skuadra e Cyme Lulajt kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt këtij objektivi.
Një duel që premton rivalitet, intensitet dhe emocione, me dy skuadra që ndajnë të njëjtat ambicie dhe që do të kërkojnë maksimumin nga kjo përballje.
PARTIZANI – VLLAZNIA
Java 7 | Kategoria Superiore Vajza
E shtunë, 14 nëntor 13:30 | QKS Kamëz



















