SUPERIORE VAJZA | JAVA 6 | EGNATIA – PARTIZANI 0:2
Skuadra e Vajzave te vijonë ecurinë pozitive në kampionat, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme.
Vajzat e kuqe mposhtën 0-2 Egnatian në transfertë, në një përballje direkte për zonën “Final Four”, të vlefshme për javën e gjashtë të Kategorisë Superiore për Vajza.

Skuadra e drejtuar nga Cyme Lulaj vinte në këtë takim pas fitores së thellë 0-15 ndaj Lushnjes dhe synonte të ruante vazhdimësinë, këtë herë përballë një rivali të drejtpërdrejtë në garën për katër vendet e para.
Takimi u zhvillua pikërisht në Fushën e Plugut, aty ku vajzat e kuqe kishin regjistruar edhe suksesin e një jave më parë ndaj Lushnjes.
Partizani e nisi sfidën me vendosmëri, duke kërkuar të merrte kontrollin e lojës. Ishte Estrela Habili ajo që zhbllokoi rezultatin në minutën e 34′ , pas një asistimi fantastik të Melisa Doçes, Habili e dërgon topin në rrjetë për avantazhin 0-1. Me këtë rezultat do të mbyllej edhe pjesa e parë.

Fraksioni i dytë rezultoi më i luftuar. Vendaset shtuan presionin dhe tentativat në kërkim të barazimit, por vajzat e kuqe treguan organizim, karakter dhe disiplinë, duke administruar me kujdes avantazhin.
Në minutat e fundit të takimit erdhi edhe goditja përfundimtare. Tuhana Çifliku dërgoi një krosim të saktë në zonë për Arlinda Kodrën, e cila nuk fali përballë portës, duke vulosur rezultatin 0-2 dhe duke realizuar njëkohësisht golin e saj të pestë personal në kampionat.
Një fitore me peshë të veçantë për skuadrën e Cyme Lulajt, që ngjitet në vendin e katërt të renditjes, duke lënë pas Egnatian dhe duke u bashkuar me të njëjtën kuotë pikësh me Vllazninë e vendit të tretë.
Pikërisht Vllaznia do të jetë kundërshtarja e radhës për vajzat e kuqe, në një tjetër përballje direkte që pritet të ketë rëndësi të madhe në garën për zonën “Final Four”.
Dy fitore radhazi, 17 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Vajzat e kuqe vijojnë të konfirmojnë ambiciet e tyre në kampionat!



















