NGA AKADEMIA TE EKIPI I PARË DHE KOMBËTARJA, VATA E HIMALLARI VIJOJNË NGJITJEN

NGA AKADEMIA TE EKIPI I PARË DHE KOMBËTARJA, VATA E HIMALLARI VIJOJNË NGJITJEN

 

Vetëm 17 vjeç, por tashmë pjesë e skuadrës së parë të Partizanit. Dion Vata dhe Elson Himallari marrin një tjetër vlerësim të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre, ftesën nga Kombëtarja shqiptare U-19.

 

Dy prej produkteve të Akademisë së Partizanit, Dion Vata dhe Elson Himallari, do të jenë pjesë e grumbullimit të Shqipërisë U-19 për dy ndeshjet miqësore ndaj Lituanisë.

Trajneri i përfaqësueses U-19, Fatjon Tafaj, ka përfshirë dy 17-vjeçarët e kuq në grupin që do të zhvillojë dy takimet e programuara më 30 shtator dhe 2 tetor.

Për Vatën dhe Himallarin kjo është një tjetër etapë e rëndësishme e një rrugëtimi që ka nisur në ekipet e moshave të Partizanit. Të dy janë formuar në Akademinë e Kuqe dhe, pavarësisht moshës së re, kanë bërë tashmë hapin drejt skuadrës së parë të Partizanit, ku janë pjesë e organikës së ekipit.

Kalimi nga Akademia te ekipi i parë dhe njëkohësisht përfaqësimi me fanellën kuqezi është një tjetër sinjal pozitiv për projektin e klubit në zhvillimin dhe promovimin e talenteve .

Vata dhe Himallari janë dy emra të gjeneratës së re të Partizanit, që po fitojnë gradualisht hapësirën e tyre dhe tashmë do të kenë mundësinë të përfaqësojnë klubin edhe në arenën ndërkombëtare me Kombëtaren U-19.

Klubi i Partizanit i uron Dion Vatës dhe Elson Himallarit suksese dhe paraqitje sa më pozitive me fanellën e Shqipërisë në dy përballjet ndaj Lituanisë.