Klubi i Futbollit Partizani konfirmon edhe një herë rolin parësor në furnizimin e përfaqësueseve kuqezi me elementë cilësorë. Për ndeshjet ndërkombëtare të muajit nëntor, pesë futbollistë të të kuqve janë përzgjedhur nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave U-21, U-19 dhe U-17 për të përfaqësuar Shqipërinë në takimet kualifikuese zyrtare dhe teste prestigjoze.
Sulmuesi ynë Rrok Toma është grumbulluar për dy testet miqësore ndaj Luksemburgut dhe Spanjës takime të cilat do të zhvillohen në Shqipëri më 13 dhe 17 nëntor. Trajneri i përfaqësueses tonë Alban Bushi ka përfshirë sulmuesin e kuq për këto dy teste të rëndësishme në kuadër të kampionatit Europian 2027 ku Shqipëria është një nga vendet organizatore të turneut.

Ndërkohë në seleksionin kuqezi të ekipit përfaqësues U-19 nuk mund të mungonin Dion Vata dhe Elson Himallari. Trajneri Fatjon Tafaj sërish ka përfshirë në skuadër dy talentet e Partizanit të cilët po performojnë në mënyrën më pozitive me ekipin e parë. Përfaqësuesja U-19 do të luajë dy takime në raundin e dytë të kualifikueseve të Europianit 2027 respektivisht ndaj Qipros me 11 nëntor dhe Armenisë më 14 nëntor takime të cilat janë programuar të luhen në stadiumin “Sotira Municipal”, të Qipros.

Në ekipin kombëtar U-17 Fabio Hyseni , Rean Caslli dhe Denian Avdylaj janë përfaqësuesit e Partizanit të përzgjedhur nga trajneri Armand Dama për të qenë pjesë e mini-turneut kualifikues që do të zhvillohet në Shqipëri. Për Hysenin, Casllin dhe Avdylaj do të jetë një mundësi ideale për të treguar vlerat e tyre ndaj kundërshtarëve potent si Suedia, Skocia dhe Finlanda përballjet të cilat do të zhvillohen në “Elbasan Arena” në datat 11, 14 dhe 17 nëntor.



















