ABISSNET SUPERIORE, LAÇI 0 – 1 PARTIZANI| JAVA 11 Të kuqtë triumfojnë sërish në transfertë, vendos goli i Spahiut

Partizani vijon ecurinë pozitive në kampionat duke siguruar një fitore me mjaft peshë në transfertën e vështirë të Laçit. Të besuarit e trajnerit Mislav Karoglan triumfuan me shifrat minimale 1-0 në duelin e javës së 11-të të “Abissnet Superiore”, duke vijuar fazën e dytë me hapin e duhur.

​Sfida u vendos në minutën e 20-të takimit. Mesfushori Sebastjan Spahiu fitoi me zgjuarsi një 11-metërsh dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e kuqe. Kjo goditje rezultoi vendimtare për fatin e takimit, duke u dhuruar kryeqytetasve tre pikë të arta.

​Për herë të parë nën drejtimin e teknikut Karoglan, “Demat e Kuq” regjistrojnë dy fitore radhazi pa pësuar asnjë gol. Ky sukses merr vlera të dyfishta, pasi të kuqtë thyen një tabu trevjeçare pa fitore në transfertën kurbinase.

​Me këtë trepikësh, skuadra konfirmon konsolidimin në lojë dhe rezultate në këtë start të fazës së dytë. Përballja e radhës për Partizanin do të jetë klasikja ndaj Vllaznisë.