Kombëtarja U-19 e ka nisur me këmbën e mbarë rrugëtimin në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian (Liga B), duke mposhtur bindshëm Qipron me rezultatin 4-0. Pjesë e rëndësishme e këtij suksesi në stadiumin “Sotira Municipal” ishin edhe dy futbollistët e Partizanit, Elson Himallari dhe Dion Vata.

Sulmuesi ynë, Elson Himallari, konfirmoi edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon, duke vulosur fitoren e kuqezinjve me golin e katërt të takimit në minutën e 80-të. Pas dygolëshit vendimtar në miqësoren e fituar 2-1 ndaj Lituanisë, talenti i Partizanit shpërbleu sërish besimin e trajnerit Fatjon Tafaj me një tjetër paraqitje mbresëlënëse.
Kontribut të çmuar dha edhe Dion Vata, i cili ashtu si Himallari e nisi ndeshjen nga minuta e parë, duke zhvilluar një lojë mjaft solide përgjatë të gjithë 90 minutave.



















