Partizani U18 nuk ndalet. Të kuqtë e Algert Hurdhës siguruan fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur 2-0 Dinamo Cityn në fushën e Arbanës.
Një sfidë që nisi me ritëm të lartë, grintë dhe shumë luftë sportive.
Sinjali i parë i fortë erdhi në minutën e 31-të. Alban Hitaj merr topin dhe nis një marshim spektakolar prej më shumë se 60 metrash. Lë pas kundërshtarët dhe, përballë portierit, tregohet i ftohtë. Goditje e saktë në cepin e rrjetës dhe Partizani kalon në avantazh!
Por vetëm pesë minuta më vonë, ndeshja ndryshon. Subashi merr dy kartonë të verdhë njëri pas tjetrit dhe të kuqtë mbeten me dhjetë lojtarë.
Nga ky moment, Partizanit i duhet të luftojë edhe më shumë.
Skuadra e Hurdhës mbron me fanatizëm avantazhin, ndërsa Ersi Maloku ruan të paprekur portën e kuqe.
Në fund, Dinamo hedh gjithçka përpara në kërkim të barazimit. Por pikërisht kur presioni i bluve rritet, Partizani përgjigjet me gjakftohtësi.
Në minutat shtesë, Noel Dalipi godet sërish. Goli i dytë dhe gjithçka mbyllet: Dinamo City 0, Partizani 2.

Për Dalipin ky është goli i pestë në vetëm dy javë kampionat, duke udhëhequr listën e golashënuesve.
Dy ndeshje, dy fitore dhe 6 pikë për Partizanin U18, që vijon në krye të tabelës.
Sfida e radhës sjell një tjetër test interesant për të kuqtë, këtë herë përballë Teutës.



















