Dopietë e Himallarit me Kombëtaren U19, protagonist në përmbysjen ndaj Lituanisë

Elson Himallari protagonist me fanellën kuqezi. Sulmuesi i Partizanit realizoi një dopietë në testin e dytë miqësor të Kombëtares U19 ndaj Lituanisë, të zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Vorës.

Pas paraqitjes pozitive në miqësoren e parë, Himallari mori sërish besimin e trajnerit Fatjon Tafaj, këtë herë duke e shpërblyer me dy gola që përmbysën avantazhin e përfaqësueses lituaneze.

 

Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 31-të, ndërsa reagimi kuqezi erdhi në pjesën e dytë dhe mbajti firmën e sulmuesit të Partizanit. Himallari realizoi golin e barazimit në minutën e 59-të, përpara se vetëm tetë minuta më vonë, në të 67-ën, të gjente sërish rrugën e rrjetës duke kompletuar dopietën personale dhe përmbysjen e rezultatit.

Në këtë takim, Elson Himallari dhe Dion Vata e nisën ndeshjen nga minuta e parë, duke marrë besimin e stafit teknik të Kombëtares U19. Dy lojtarët e kuq konfirmuan paraqitjet pozitive të treguara edhe në testin e parë ndaj Lituanisë, ndërsa për Himallarin kjo ndeshje u kurorëzua në mënyrën më të mirë me dy realizime.

 

Pas përfundimit të angazhimit me Kombëtaren U19, Himallari dhe Vata do të rikthehen tashmë te Partizani, ku do të vendosen në dispozicion të trajnerit Florin Bratu për sfidat e radhës.

 

Në horizont është edhe një prej takimeve më të rëndësishme të sezonit, derbi i kryeqytetit, Partizani – Tirana, i programuar më 11 tetor, ora 18:30, në “Air Albania Stadium”.