PARTIZANI VAJZA NUK NDALET, FITORJA E PESTË RADHAZI NË KAMPIONAT

PARTIZANI VAJZA NUK NDALET, FITORJA E PESTË RADHAZI NË KAMPIONAT

Vajzat e kuqe triumfojnë 0:4 ndaj Kinostudios dhe vijojnë ecurinë pozitive. Dopietë e Arlinda Kodrës dhe gola nga dy 14-vjeçaret, Klea Selmani dhe Elin Hasanaj.

Partizani Vajza vijon serinë e rezultateve pozitive në Kategorinë Superiore, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi në kampionat. Skuadra e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj triumfoi me rezultatin e thellë 0:4 ndaj Kinostudios, në takimin e vlefshëm për javën e 8-të.

Protagoniste e pjesës së parë ishte Arlinda Kodra, e cila realizoi dy herë, duke i dhënë avantazhin e merituar skuadrës së kuqe dhe duke vendosur bazat e një tjetër suksesi të rëndësishëm.

Në vijim, skenën e morën dy talentet 14-vjeçare, Klea Selmani dhe Elin Hasanaj, të cilat gjetën nga një herë rrugën e rrjetës, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0:4.

 

Përtej tri pikëve, ky sukses konfirmon momentin pozitiv që po kalon Partizani, por edhe besimin që stafi teknik po u jep futbollisteve të reja, të cilat po kontribuojnë me paraqitje dhe gola në ecurinë e skuadrës.

Me pesë fitore radhazi, vajzat e kuqe vijojnë me ambicie rrugëtimin në kampionat, duke mbajtur si objektiv kryesor sigurimin e një vendi në zonën “Final Four”.

Tashmë kampionati do të ndërpritet për tri javë, përpara se Partizani të rikthehet në fushë për një tjetër përballje të rëndësishme. Sfida e radhës do të jetë në transfertë ndaj Apolonisë, një duel i fortë mes dy skuadrave me objektiva të lartë në këtë sezon.

Kategoria Superiore Vajza | Java 8 | Sezoni 2026–2027

KINOSTUDIO 0–4 PARTIZANI

Golat :

– ⚽⚽ Arlinda Kodra

– ⚽ Klea Selmani

– ⚽ Elin Hasanaj