Të kuqtë triumfojnë 1-3 në stadiumin “Roza Haxhiu”, duke siguruar një fitore me peshë ndaj një rivali direkt. Ozor, Qokthi dhe Rushiti vendosin fatin e takimit që në pjesën e parë. Skuadra e Alfred Deliallisit ngjitet në kuotën e 14 pikëve.

Partizani B ka regjistruar një fitore mjaft të rëndësishme në transfertën e vështirë të Lushnjës, duke mposhtur 1-3 skuadrën vendase në përballjen e vlefshme për javën e tetë të Kategorisë së Dytë, Grupi A.
Të kuqve u kanë mjaftuar 45 minutat e para për të ndërtuar suksesin, në një takim ku skuadra e drejtuar nga Alfred Deliallisi tregoi personalitet, organizim dhe efikasitet përpara portës kundërshtare.
Stadiumi “Roza Haxhiu”, një impiant që ndër vite i ka rezervuar kujtime jo fort të këndshme ekipit të parë të Partizanit, këtë herë u shndërrua në skenën e një suksesi të rëndësishëm për skuadrën B. Të kuqtë mbërritën në Lushnjë të motivuar dhe me besimin se mund të merrnin një rezultat pozitiv përballë një rivali direkt në renditje.
NDRYSHIME NË FORMACION DHE NJË PARTIZAN AUTORITAR
Trajneri Alfred Deliallisi kishte zgjedhur të bënte disa ndryshime në formacionin titullar krahasuar me takimin e mëparshëm ndaj Erzenit.
Porta iu besua Zadejës, ndërsa në repartin mbrojtës binte në sy rikthimi i Kleo Shpuzës. Mungesa e vetme ishte ajo e Gjuzit, i cili nuk ishte në dispozicion për shkak të një dëmtimi.
Që në minutat e para, Partizani B u shfaq kërkues dhe agresiv në fazën sulmuese, duke marrë gradualisht kontrollin e lojës. Të kuqtë treguan qartësi në ndërtimin e aksioneve dhe vendosmëri për të goditur kundërshtarin.
Epërsia në lojë do të konkretizohej në minutën e 22-të, kur 19-vjeçari nigerian Franklin Ozor arriti të zhbllokonte rezultatin, duke kaluar Partizanin B në avantazh.
Goli i dha edhe më shumë siguri skuadrës së Deliallisit, e cila vijoi të kontrollonte ritmin e takimit.
Ndryshe nga përballja e mëparshme ndaj Erzenit, ku të kuqtë kishin krijuar raste, por nuk kishin arritur ti kthenin në gola , këtë herë skuadra tregoi një saktësi më të madhe në finalizim.
Në minutën e 35-të ishte radha e Qokthit, i cili dyfishoi shifrat, duke i dhënë një goditje tjetër skuadrës vendase.
Vetëm katër minuta më vonë, në të 39-tën, Rushiti realizoi golin e tretë, duke vulosur një pjesë të parë pothuajse perfekte për Partizanin B.
Tre gola brenda pak minutash , një lojë autoritare dhe një avantazh i konsiderueshëm që i lejoi të kuqtë të shkonin drejt dhomave të zhveshjes me rezultatin 0-3.
MENAXHIM I KUJDESSHËM NË PJESËN E DYTË
Me fillimin e pjesës së dytë, objektivi kryesor i Partizanit B ishte administrimi i avantazhit dhe ruajtja e ekuilibrave në fushën e lojës.
Skuadra e Deliallisit tregoi qetësi dhe disiplinë taktike, duke u përpjekur të kontrollonte ritmin e takimit dhe të mos i linte hapësira kundërshtarit për t’u rikthyer në lojë.
Lushnja arriti të ngushtonte diferencën me anë të Burgajt, duke e çuar rezultatin në 1-3, por reagimi i vendasve nuk shkoi përtej këtij realizimi.
Të kuqtë administruan me kujdes minutat e mbetura, duke ruajtur avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Gjatë pjesës së dytë, stafi teknik aktivizoi edhe Qamilin, Mashin, Mangalalon dhe Topallin, duke i dhënë energji të re skuadrës dhe duke ruajtur freskinë fizike në një përballje që kërkonte përqendrim deri në fund.
Pas 90 minutave, rezultati 1-3 konfirmoi një fitore të merituar të Partizanit B, që tregoi karakter dhe pjekuri në një transfertë me shkallë të lartë vështirësie.
PARTIZANI B NGJITET NË VENDIN E TRETË
Tri pikët e siguruara në Lushnjë kanë një rëndësi të veçantë edhe për renditjen e Grupit A të Kategorisë së Dytë.
Me këtë sukses, Partizani B ngjitet në vendin e tretë me 14 pikë, duke lënë pas pikërisht Lushnjën, një kundërshtar që përpara kësaj përballjeje kishte tri pikë më shumë se të kuqtë.
Rezultati konfirmon momentin pozitiv që po kalon skuadra e Alfred Deliallisit.
Në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, Partizani B ka grumbulluar 10 pikë nga 12 të mundshmet, një ecuri që dëshmon rritjen e vazhdueshme të grupit, si në aspektin e lojës, ashtu edhe në atë të rezultateve.
Përtej fitores, paraqitja në Lushnjë ishte një tjetër tregues i potencialit të skuadrës, e cila po fiton stabilitet dhe besim për të konkurruar në pozicionet e sipërme të klasifikimit.
NË HORIZONT NJË TJETËR DUEL DIREKT
Pas suksesit ndaj Lushnjës, vëmendja e të kuqve zhvendoset menjëherë te përballja e radhës.
Më 28 nëntor, Partizani B do të përballet me Vllazninë B, në një tjetër duel të drejtpërdrejtë me rëndësi për garën në pjesën e sipërme të renditjes.
Një sfidë që do të shërbejë si një tjetër provë për skuadrën e Deliallisit, e cila synon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe të konsolidojë pozitat mes ekipeve kryesuese.
Fitorja në “Roza Haxhiu” nuk sjell vetëm tri pikë, por edhe një tjetër konfirmim të ambicieve të Partizanit B në këtë sezon.
KF LUSHNJA – PARTIZANI B 1-3
Golat për Partizanin B:
⚽ 22′ Franklin Ozor
⚽ 35′ Qokthi
⚽ 39′ Rushiti
Kategoria e Dytë | Grupi A | Java 8



















