Partizani U19 mbyll aventurën në UEFA Youth League, një eksperiencë e vlefshme për të ardhmen
Partizani U19 ka përfunduar rrugëtimin e tij në UEFA Youth League, pas humbjes 3-0 ndaj FC Hradec Králové U19 në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë, të zhvilluar në stadiumin “Malšovická Arena” në Çeki.
Pas rezultatit 0-6 në përballjen e parë në Tiranë, të kuqtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Muhameti kishin përpara një mision jashtëzakonisht të vështirë ndaj kampionëve çekë të kësaj grupmoshe.
Në takimin e kthimit, Partizani U19 arriti ta mbante të paprekur portën gjatë 45 minutave të para, duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 0-0. Megjithatë, në fraksionin e dytë, vendasit realizuan tri herë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0 dhe kualifikimin në raundin pasardhës.
Përtej rezultateve, kjo pjesëmarrje përfaqëson një eksperiencë të rëndësishme për brezin e ri të kuq.
Aventura europiane nisi në Maltë, ku Partizani U19 triumfoi 2-0 ndaj Valletta U19, për të vijuar me fitoren bindëse 4-0 në Tiranë dhe kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit.
Përballjet me FC Hradec Králové U19 dëshmuan nivelin e lartë të konkurrencës ndërkombëtare, por njëkohësisht u dhanë futbollistëve të rinj mundësinë të matin forcat me një kundërshtar cilësor dhe të fitojnë përvojë të çmuar për zhvillimin e tyre.

Katër ndeshje europiane, dy kundërshtarë nga shkolla të ndryshme futbolli dhe një rrugëtim që do të mbetet pjesë e rëndësishme e formimit të këtij grupi.
Për Partizanin U19, eliminimi shënon fundin e një kapitulli europian, por jo fundin e ambicieve. Eksperienca e fituar do të shërbejë si një bazë e rëndësishme për sfidat e ardhshme dhe për rritjen e talenteve të Akademisë Partizani.
NEW PLACES. BIGGER EXPERIENCES. SAME DREAM.
MORE THAN A JOURNEY.



















