Partizani B pret Erzenin, një sfidë e veçantë për trajnerin Alfred Deliallisi

Pas triumfit spektakolar 0-7 në transfertën ndaj Veleçikut, Partizani B rikthehet në shtëpi për një tjetër përballje të rëndësishme në kampionat. Të kuqtë do të presin Erzenin, në takimin e vlefshëm për javën e shtatë të Kategorisë së Dytë, Grupi A.
Sfida është programuar të zhvillohet të premten, më 6 nëntor, në orën 11:00, në Kompleksin Sportiv “Dinamo City”.

Skuadra e drejtuar nga Alfred Deliallisi vjen në këtë përballje me moralin e lartë, pas suksesit bindës në Koplik, ku të kuqtë realizuan plot shtatë gola, duke regjistruar një nga fitoret më të thella të këtij fillimsezoni.
Përtej rezultatit, paraqitja ndaj Veleçikut evidentoi potencialin ofensiv të skuadrës dhe progresin e elementëve të rinj. Dopieta e 19-vjeçarit nigerian Frenklin Ozor, kontributi i vazhdueshëm i Roki Tomës dhe rikthimi i futbollistëve pas dëmtimeve janë sinjale pozitive për stafin teknik.
Një përballje me emocione të veçanta pritet të jetë kjo ndaj Erzenit për trajnerin Alfred Deliallisi. Tekniku i të kuqve do të gjendet përballë një emri me të cilin e lidh një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij në futboll. Deliallisi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për klubin shijakas, duke lënë gjurmët e tij gjatë angazhimit me Erzenin.
Këtë herë, ish-i do të jetë në pankinën kundërshtare, me përgjegjësinë për të udhëhequr Partizanin B drejt një tjetër rezultati pozitiv. Një përballje ku respekti për të shkuarën do të ndërthuret me objektivat dhe ambiciet e së tashmes.
Për të kuqtë, takimi përfaqëson një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive dhe për të konfirmuar rritjen e skuadrës, e cila synon të ruajë ritmin dhe të fitojë më shumë qëndrueshmëri në kampionat.
PARTIZANI B – ERZENI
Kategoria e Dytë | Grupi A | Java 7
6 Nëntor 2026 | Ora 11:00
Kompleksi Sportiv “Dinamo City”



















