Partizani B triumfon ndaj Tërbunit, dopieta e Kazeem vulos suksesin e të kuqve!
Partizani B ka regjistruar një tjetër fitore në kampionat, duke mposhtur me rezultatin 3-2 Tërbunin, në takimin e zhvilluar në kompleksin sportiv “Dinamo City” në Arbanë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Alfred Deliallisi zhvilloi një pjesë të parë mjaft pozitive, duke dominuar lojën dhe duke diktuar ritmin e takimit. Epërsia në fushë u konkretizua në minutën e 26-të, kur Toma zhbllokoi rezultatin me një goditje mjaftë të bukur me kokë, ndërsa në të 35-ën Kazeem dyfishoi shifrat, duke bërë që të kuqtë të shkonin në pushim me avantazhin 2-0.
Ndryshe nga fraksioni i parë, fillimi i pjesës së dytë solli një tjetër panoramë të lojës. Të kuqtë ulën ritmin dhe lëshuan terren, duke i dhënë mundësi Tërbunit të fitonte më shumë hapësira dhe të rikthehej në lojë. Miqtë shfrytëzuan këtë moment për të rritur presionin dhe për ta bërë përballjen më të luftuar, duke rikthyer ekuilibrat në rezultat me dy golat e Afrikanit Anoo .
Megjithatë, në momentet vendimtare Partizani B arriti të reagonte. Ishte sërish Kazeem, i cili në minutën e 90-të gjeti rrugën e rrjetës nga pika e bardhë u tregua i saktë , duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe duke vulosur fitoren 3-2 të të kuqve.
Një sukses i rëndësishëm për skuadrën e Alfred Deliallisit që ngjitet në tabelë duke u vendosur në vendin e 5të me 7 pikë .
Në javën e ardhshme, Partizani B do të përballet në transfertë me Veleçikun, me objektivin për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive në kampionat.



















