Partizani ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me qendërmbrojtësin Omar Pasagiç, i cili është zyrtarisht pjesë e familjes së kuqe.

28-vjeçari nga Bosnja dhe Hercegovina, i lindur në Gjermani, vjen te Partizani pas eksperiencës së fundit me FC Metaloglobus Bukuresht në kampionatin rumun.
Pasagiç aktivizohet në qendër të mbrojtjes dhe dallohet për këmbën e majtë. Mbrojtësi ka firmosur një kontratë 1+1 dhe do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në Pogradec, aty ku ekipi po zhvillon fazën përgatitore në prag të sezonit të ri.
Pas firmës me Partizanin, Omar Pasagiç dha intervistën e tij të parë për Partizani Channel.
Si ndihesh që je zyrtarisht lojtar i Partizanit?
Jam i lumtur dhe gati për të nisur sezonin.
Pse zgjodhe Partizanin?
Sepse është një klub i madh, një ndër klubet më të mëdha në Shqipëri. Gjithashtu, sezonin e kaluar kam punuar me trajnerin Florin Bratu dhe më pëlqen mënyra se si ai punon.
Si do ta përshkruaje veten me një fjalë?
Punëtor. I përkushtuar.
Cili është objektivi yt për këtë sezon?
Të shpallemi kampionë.
Një mesazh për tifozët e Partizanit?
Do të japim gjithçka, ditë pas dite, në stërvitje dhe në çdo ndeshje, për t’ua shpërblyer mbështetjen tifozëve dhe për ta shijuar suksesin së bashku.
🎙️ Intervistoi : Përparim Kodra



















