Partizani U19 ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të përballjes së kthimit ndaj FC Hradec Králové U19, e vlefshme për raundin e dytë të UEFA Youth League.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Fatjon Muhameti do të zbresë në fushën e “Malšovická Arena” të mërkurën, më 4 nëntor, në orën 17:30.
Pas humbjes 0-6 në takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, të kuqtë janë të vetëdijshëm për vështirësinë e jashtëzakonshme të përmbysjes së rezultatit. Megjithatë, objektivi mbetet një paraqitje dinjitoze dhe shfrytëzimi maksimal i kësaj eksperience ndërkombëtare.

Pavarësisht rezultatit, aventura europiane e Partizanit U19 përbën një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e këtij brezi futbollistësh. Nga përballjet me Valletta-n në raundin e parë, deri te sfidat ndaj kampionëve çekë, pjesëmarrja në UEFA Youth League u ka dhënë të rinjve të kuq mundësinë të matin forcat me shkolla të ndryshme futbolli dhe të fitojnë përvojë të vlefshme për të ardhmen.
Takimi i nesërm është një tjetër mundësi për të treguar karakter, përkushtim dhe për të përfaqësuar me dinjitet fanellën e Partizanit në arenën europiane.



















