TEUTA 0 – 1 PARTIZANI | JAVA 10

Të kuqtë rikthehen tek fitoret. Goli i David Atanaskoskit i dhuron të besuarve të Mislav Karoglan tre pikët.

Partizani ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Teutën me rezultatin 1-0 në stadiumin “Niko Dovana”.  Në sfidën e javës së 10-të të Abissnet Superiore të kuqtë marrin fitoren e shumëpritur duke treguar grintë dhe karakter përgjatë gjithë 90 minutave ndaj bregdetarëve një prej pretendentëve të këtij sezoni për titullin kampion. Heroi i të kuqve ishte David Atanaskoski, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 58-të, duke i dhuruar kryeqytetase tri pikë me shumë peshë në startin e fazes së dytë të kampionatit.

Pas një pjese të parë shumë të luftuar por pa gola, të besuarit e trajnerit Mislav Karoglan arritën të gjenin rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, duke shfrytëzuar momentin e duhur për të marrë avantazhin. Goli i Atanaskoskit rezultoi vendimtar, pasi të kuqtë arritën ta ruanin epërsinë deri në vërshëllimën përfundimtare kjo falë edhe ndërhyrjeve spektakolare të portierit Qirko i cili në këtë sfidë mbante edhe shiritin e kapitenit. Në minutën e 84-rt, Teuta mbeti me një lojtar më pak, pasi Përgjoni u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë. Në stadiumin “Niko Dovana” trajneri Karoglan ka shijuar edhe fitoren e pare në drejtimin e Partizanit, që tashmë shkon në kuotën e 7 pikëve.

Ky sukses merr një rëndësi të veçantë për të kuqtë, që vinin në këtë përballje pas një serie rezultatesh negative. Tri pikët në Durrës mund të shërbejnë si një pikënisje për rikthimin e besimit dhe përpjekjen e Partizanit për të kaluar momentin jo të mirë në fazën e parë të kampionatit.