Prononcimi i trajnerit Arbër Abialiaj në konferencën e sotme për shtyp

 

Abilaliaj: Dua të falënderoj të gjithë familjen e kuqe, presidentin Demi për të gjithë mbështetjen, sepse realisht unë e kam thënë dhe më parë, që është një projekt që ka nisur dy vite më parë për të ndërtuar një ekip që do të imponohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Që nga dita e parë që kam ardhur këtu jam ndjerë si në shtëpi, jam ndjerë që mund të jap shumë më shumë nga vetja. Kemi bërë një pjesë të rrugës të mirë. E kam thënë dhe më përpara, është një proçes shumë i gjatë. Është një proçes si klub dhe si komunitet i kuq janë shumë të mëdha. Dëshira apo vetëbesimi për të bërë mirë, sidomos në këtë ambient, besoj se ka qenë shumë natyrale dhe shumë e thjeshtë për të arritur këto rezultate. Por e kam thënë dhe njëherë që është vetëm fillimi i një rruge të gjatë. Zhvillimi i klubit dhe i futbollistëve që është objektivi ynë kryesor do të na hajë shumë kohë. Uroj dhe shpresoj që këtyre ti bashkangjiten edhe rezultatet maksimale ato qqë në fund të gjithë dëshirojmë.

Sa e vështirë do të jetë që ti mbani të dy pozicionet dhe sa e ndjeni presionin te Partizani –

Abilaliaj: Në asnjë moment, që nga dita e parë jam ndjerë si në shtëpi, sepse nuk ka qenë asnjë presion që mund të më frenojë se çfarë mund të bëj për këtë klub. Ka qenë një presion i mirë patjetër, në një klub kaq të rëndësishëm të jep mundësinë të shkosh te rezultatet. Nuk është vetëm mirë për një drejtues, por është mirë që ta ketë çdo trajner ose çdo klub. Si në kampionatin shqiptar, por edhe në kompeticionet europiane.

Eshtë Partizani skuadra më e kompletuar e kampionatit, apo do të tentoni afrime në janar –

Abilaliaj: Jemi një nga skuadrat që në sezonin e verës kemi punuar me mjaft kujdes, por duke parë edhe afrimet që janë bërë, kanë qenë afrime që na kanë ndihmuar edhe në fillim të sezonit. kemi pasur dhe mungesa të cilat nuk janë ndjerë aspak në përbërjen e ekipit. Është një gjë që mund të konsiderojmë futbollistët që po riaftësohen dhe nuk kanë qenë prezent në ekip, nga janari mund t’i konsiderojmë blerje të reja duke pasur parasysh se kemi shumë lojtarë të rëndësishëm që kanë qenë jashtë për një kohë shumë të gjatë. Mund të ndërhyjmë, por ndoshta vetëm në një pozicion, asgjë më pak asgjë më shumë. Dëshira ka qenë që ky ekip që u formua në qershor të jetë i konsoliduar në qershorin që vjen dhe të kemi mundësinë të bëjmë një sezon europian më të suksesshëm se ai që lamë mbrapa.

Aktualisht jeni 8 pikë larg vendit të tretë –

Abilaliaj: Të them të drejtën synimi ka qenë që të arrijmë të dominojmë çdo ndeshje të luajtur. Nuk e kemi menduar asnjëherë pjesën e “Final Four” , nuk e kemi menduar asnjëherë pjesën e vendit të parë. Ka qenë gjithnjë në interesin dhe synimet tona që ky është një proçes i gjatë dhe kampionati  nëse arrin të shprehesh mirë çdo ndeshje patjetër që rezultatet do vijnë siç edhe kanë ardhur. Jam totalisht i bindur që nëse lojtarët do ta arrijnë ta kapërcejnë këtë gjë edhe mentalisht besoj se Partizani nuk do ketë probleme përsa i përket renditjes. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohemi çdo ndeshje , të marrim rezultat çdo ndeshje sepse mbi bazën e këtyre rezultateve mund të ndërtojmë diçka të mirë edhe për kompeticionet evropiane në verë.

Si u bindët për të marrë stolin e Partizanit –

Abilaliaj: Të them të drejtën unë i bindur isha. Kjo është më shumë një sqarim që ka dashur presidenti të bëjë me të gjithë opinionin. Fakti që po punoj këtu prej 6 ndeshjesh tashmë, është një rrjedhë normale e kësaj që po ndodh tani. Nuk ishte çështje bindjeje, jemi të gjithë këtu që nga fillimi deri në fund, i gjithë stafi për të arritur rezultatet që i kemi vënë vetes kur kemi nisur këtë proçes. Disponibiliteti im dhe i kujdo  është maksimal kundrejt këtij projekti.

Ngjarja e ndodhur në ndeshjen me Egnatian –

Abilaliaj: Eshtë një ngjarje tragjike ajo që ndodhi , për më tepër për të gjithë futbollistët dhe për më tepër për ne si ekip që ishim në fushën e lojës. Patjetër që ndjejmë një keqardhje. Ne gjithë këtë periudhë jemi munduar dhe kemi punuar me të gjithë futbollistët që ta kapërcejnë këtë gjë psikologjikisht. Normalisht që ditën që do të kemi edhe ndeshjen do të jemi totalisht të fokusuar për të bërë rezultatet , për të vazhduar rrugëtimin tonë.