Partizani U19 skuq derbin e kryeqytetit

Partizani U19 skuq derbin e kryeqytetit, fitore spektakolare me përmbysje ndaj Tiranës

Të kuqtë e Fatjon Muhametit triumfojnë 1-3 në transfertë, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë. Lleshaj, Rrenga dhe Arapi firmosin suksesin në derbin e kryeqytetit, ndërsa Partizani ngjitet në vendin e pestë dhe vijon garën për titullin kampion.

Pas një sezoni mungesë, për shkak të rënies së Tiranës nga Kategoria Superiore, derbi i kryeqytetit për grupmoshën U19 u rikthye me emocione, rivalitet, gola dhe një përmbysje spektakolare të Partizanit.

Në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti triumfoi me rezultatin 1-3, duke marrë tri pikë me shumë vlera në garën për kreun e renditjes.

Përpara kësaj përballjeje, Tirana renditej në vendin e dytë me 14 pikë dhe synonte fitoren për të qëndruar pranë skuadrave pretendente. Nga ana tjetër, Partizani vinte në këtë derbi me 10 pikë, në vendin e shtatë, por me tri ndeshje të prapambetura, një element i rëndësishëm në objektivin e të kuqve për titullin kampion.

Tirana kalon në avantazh, Qefalia mban në lojë Partizanin

Takimi nisi me vendasit më kërkues, të cilët ushtruan presion dhe krijuan disa situata të rrezikshme përpara portës së Partizanit.

Në minutën e 14-të, pas një krosimi nga krahu i djathtë, Xhoni Shega, një ish-lojtar në këtë përballje, dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Tiranën në avantazh 1-0.

Pas golit, bardheblutë patën edhe dy mundësi të arta për të dyfishuar rezultatin, por ndërhyrjet vendimtare të portierit Qefalia mbajtën në lojë skuadrën e kuqe.

Partizani tentoi të reagonte përmes Rrengës dhe Hykës, të cilët kërkuan hapësira në mbrojtjen kundërshtare, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të vendasve.

Një pjesë e dytë e dominuar nga të kuqtë

Fraksioni i dytë foli tërësisht për Partizanin. Skuadra e Fatjon Muhametit ndryshoi ritmin, mori kontrollin e lojës dhe dominoi në çdo aspekt, duke e zhvendosur vazhdimisht aksionin në gjysmëfushën kundërshtare.

Reagimi nuk vonoi..

Në minutën e 49-të, një kundërsulm i shpejtë i të kuqve u finalizua në mënyrë perfekte. Hyka dha një asist të saktë për Lleshajn, i cili me një devijim të lehtë dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në 1-1.

Goli i barazimit i dha edhe më shumë besim Partizanit, që vijoi me sulme të njëpasnjëshme në kërkim të përmbysjes.

Pas rreth 20 minutash lojë intensive, Hyseni shërbeu me një pasim të saktë për Marinajn, i cili u pengua brenda zonës. Gjyqtari akordoi menjëherë penallti për Partizanin.

Nga pika e bardhë u paraqit Rrenga, i cili u tregua i saktë, duke realizuar golin e avantazhit.

Tirana 1-2 Partizani! Përmbysja ishte kompletuar.

Arapi vulos derbin dhe ndez festën e kuqe

Edhe pas marrjes së avantazhit, Partizani nuk e uli ritmin. Të kuqtë vijuan të kërkonin golin e tretë, duke mos i lejuar vendasit të riktheheshin në lojë.

Goli që vulosi përfundimisht fatin e derbit erdhi në minutat shtesë.

Pas një skeme të përgatitur nga goditja e këndit, Rrenga dërgoi një top të rrezikshëm drejt kuadratit, aty ku Arapi, me një zhytje spektakolare, e dërgoi në rrjetë.

1-3! Një gol që ndezi festën e kuqe dhe vulosi një përmbysje të madhe në derbin e kryeqytetit.

Pak çaste më vonë, gjyqtari Doda sinjalizoi përfundimin e takimit, duke konfirmuar një fitore të rëndësishme dhe plotësisht të merituar për Partizanin.

Derbi po kthehet në tabu, Partizani pa humbje prej dy vitesh

Ky sukses konfirmon edhe një herë ecurinë pozitive të Partizanit në derbin e kryeqytetit për grupmoshën U19.

Skuadra e kuqe nuk ka regjistruar asnjë humbje ndaj rivalëve bardheblu gjatë dy viteve të fundit, duke e kthyer këtë përballje në një sfidë ku të kuqtë kanë ditur të imponohen.

Përtej rivalitetit tradicional, fitorja merr një rëndësi të veçantë edhe për objektivat sezonalë të skuadrës së Fatjon Muhametit.

Partizani ngjitet në vendin e pestë, gara për titullin mbetet e hapur

Pas këtij triumfi, Partizani ngjitet në vendin e pestë të klasifikimit me 13 pikë, vetëm katër pikë larg kryesuesve të Laçit.

Megjithatë, të kuqtë kanë një avantazh të rëndësishëm në këtë fazë të kampionatit: tri ndeshje më pak të zhvilluara, përkatësisht ndaj Dinamos, Bylisit dhe Skënderbeut.

Një situatë që e mban plotësisht të hapur garën për titullin kampion dhe i jep Partizanit mundësinë të përmirësojë ndjeshëm pozitat në renditje.

Fitorja në derbi, karakteri i treguar pas disavantazhit dhe loja dominuese në pjesën e dytë janë sinjale pozitive për një skuadër që synon të jetë protagoniste deri në fund të sezonit.

TIRANA U19 1-3 PARTIZANI U19

Golat:

14′ Xhoni Shega (Tirana)

49′ Musa Lleshaj (Partizani)

70′ Erald  Rrenga (penallti, Partizani)

90+’ Uesli Arapi (Partizani)

Stadiumi: Kompleksi Sportiv “Skënder Halili”

Trajneri i Partizanit U19: Fatjon Muhameti