A e keni ndarë mendjen, do të jeni drejtor apo trajner i Partizanit?
Abilaliaj: Do na pëlqente t’i bënim të dyja më duket. Situata është e njëjtë, ndaj është më mirë të flasim për ndeshjen.
Si e shikoni Vllazninë, një skuadër me shumë luhatje –
Abilaliaj: Një skuadër që për mendim është shumë e mirë dhe ka ambiciet e saja për të luajtur. Ndryshimi i trajnerit dhe stili i lojës që ka trajneri i ri, kam përshtypjen se i bën një ekip akoma më të rrezikshëm. Është një skuadër si çdo skuadër e Superiores, e rrezikshme, e etur për pikë dhe normalisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket mënyrës sesi do të zhvillohet ndeshja nesër dhe duhet të jemi të përgatitur për këtë takim.
Fitoret në minutat e fundit, pse vuan kaq shumë skuadra –
Abilaliaj: Krijojmë shumë, humbasim shumë. Edhe në ndeshjen me Laçin humbëm dy raste të pastra me Carën dhe Bintcukën. Raste flagrante që po të zgjidheshin nuk do të shkonim deri në minutën e 94-t për të shënuar. Kjo është një çështje cilësie dhe e kam përmendur se nuk mundet që të shpërdorojmë kaq shumë raste dhe t’i bëjmë kaq dramtike ndeshjet.
Gjendja e skuadrës –
Abilaliaj: Mungesat dihen, vazhdojnë të jenë ato që kanë qenë kryesisht gjatë gjithë kësaj kohe. Ata që kanë qenë funksional në këtë kohë janë totalisht më të relaksuar dhe padiskutim gati për të bërë një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme dhe të bukur për tifozët tanë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe ky është një nga motivet më të rëndësishme që çfarëdolloj ndeshje Partizani do ta luaj , si nga minuta e parë deri në të fundit me impenjim maksimal.
A është i gatshëm Alban Hoxha për Vllazninë –
Abilaliaj: Albani sot rikthehet në stërvitje, ka pasur një dëmtim në shpatull. Pra sot është stërvitja e tij e parë me grupin.
Po fitoni në frymën e fundit, ai druheni fatit që mund t’iu kthehet kundër?
Abilaliaj: Fati është pjesë e rëndësishme e kësaj loje. Po e përsëris sërish, nëse do të ishim të kujdesshëm për ta mbyllur ndeshjen apo për të shfrytëzuar rastet që krijojmë. Siç ishte edhe me Teutën ku shpërdoruam shumë dhe arritëm të shënojmë në fund. Apo siç ishte përgatitur ndeshja me Laçin ku nuk mund të kesh më shumë se tre raste flagrante në atë fushë dhe ashtu erdhi në fund. Normalsiht na shkon përshtat që një në dy raste të jetë gol dhe jo të shpërdorojmë dhe vuajmë kaq shumë.
Në Shkodër e dominuat Vllazninë edhe me 10 lojtarë, mos ndoshta do ta keni më të lehtë nesër në shtëpi?
Abilaliaj: Ndoshta aktivizohet ai mekanizmi që më 10 lojtarë të gjithë shtrëngohen më shumë, por ka qenë edhe e kundërta ku me 10 lojtarë ishte Erzeni dhe vuajtëm ne akoma më shumë. Mendoj se ajo ka qenë një nga ndeshjet më të mira që ka bë Partizani në mënyrën si e mbajti terrenin , shpërdoruam raste që duhet të ishin në favorin tonë. Dua të përmend rastet e dy sulmuesve tanë, Bintcuka dhe Mba , që u shpëtuan nga portieri shkodran. Ishte një ndeshje e sistemuar që tregonte me të vërtetë një ekip të matur. Do të doja dhe uroja që konsolidimi në ndeshjen e radhës të jetë akoma më i madh dhe agresiviteti dhe dëshira për fitore të jetë akoma më i madh. Të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive dhe konsolidimin e kualiteteve të ekipit të jetë në nivel akoma më të lartë.
Skema e re mund të jetë një disfavor, duke ditur se po merrni fitore radhazi dhe kryesoni bashkë me Egnatian –
Abilaliaj: Në fund do të bëhen llogaritjet sa i përket skemës së re. Ne bëjmë atë që kemi detyrë për të bërë. Normlish një skuadër nuk mund të ndizet dhe fiket me pult. Një skuadër duhet të bëjë gjithnjë maksimumin dhe të fitojë të gjitha ndeshjet që ka mundësi të fitojë. Partizani futet në fushë për të fituar ndeshjen e radhës dhe ky është fokusi ynë. Llogaritë bëhen në fund, e mirë apo e keqe. Një ekip që në 36 javë krijon një shkëputje të konsiderueshme falë forcës, fuqisë, potencës dhe të jetë e diskutueshme në një ndeshje, edhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Pra primare mbettë ndeshja e radhës dhe trepikëshi i radhës, të tjerat mbeten hipoteza.
A ju motivojnë edhe fitoret radhazi të Egnatias –
Abilaliaj: Patjetër, pasi flasim për një ekip që është kualitativ. Patëm mundësi që ta shikojmë edhe dje ku fitoi ndeshjen e radhës me Erzenin. Janë motivim pasi janë kundërshtarët tanë direkt dhe na jep një shtysë akoma më të madhe për të bërë mirë dhe qëndruar në të njëjtin ritëm. Nëse arrijmë të nxjerrim më të mirën e njëri-tjetrit është një gjë që u bën mirë të dyja skuadrave.
A do ta ketë Partizani trajneri e ri para grumbullimit të kombëtareve, në mënyrë që t’i japë kohë të njohë skuadrën –
Abilaliaj: Kjo është një pyetje retorike që vazhdon të bëhet prej disa javësh. Shpresojmë që po, pasi do të ishte një hapësirë kohe ndoshta edhe për të kuptuar deri-diku ekipin. Është një gjë që nuk e llogarisim dot.