KATEGORIA E DYTË | JAVA 7 | PARTIZANI B – ERZENI 2:2

Të kuqtë dominojnë, por ndalen në barazim përballë Erzenit

 

Partizani B nuk ka shkuar më shumë se barazimi 2-2 përballë Erzenit, në sfidën e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, të zhvilluar në Kompleksin “Dinamo ”, në Arbanë.

 

 

Një përballje me emocione të veçanta për trajnerin Alfred Deliallisi, i cili këtë herë gjente përballë ish-skuadrën e tij, aty ku hodhi edhe hapat e parë në karrierën si trajner.

Pas dy fitoreve radhazi ndaj Tërbunit dhe Veleçikut, të kuqtë kërkonin vazhdimësinë, por përballë gjetën një Erzen luftarak dhe mjaft efikas në shfrytëzimin e rasteve.

 

Partizani e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke marrë kontrollin e lojës dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm në gjysmëfushën kundërshtare. Ozor, Mangalolo dhe Qamili provuan të rrezikonin portën e mbrojtur nga Guci, por pa gjetur kuadratin.

Në minutën e 16-të, gjyqtari Durmishi akordoi një penallti në favor të Partizanit, vendim që më pas u anulua pas konsultimit me asistentin e tij.

Dhe pikërisht në momentin më të mirë të të kuqve, Erzeni goditi. Në minutën e 29-të, Spartak Ajazi, me një goditje nga jashtë zonës, dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar miqtë në avantazh.

 

 

Pavarësisht golit të pësuar, Partizani vijoi të kërkonte me ngulm barazimin. Përpjekjet u shpërblyen në minutën e 45-të, kur Marselo Gjuzi, pas një depërtimi nga krahu i djathtë, dërgoi një krosim të rrezikshëm në zonë. Shkira, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë në portën e tij, duke rikthyer baraspeshën.

1-1 dhe skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Fraksioni i dytë nisi me të njëjtën tablo. Partizani më kërkues, më agresiv dhe vazhdimisht në kërkim të golit të avantazhit. Bakalli dhe Diallo provuan të bëheshin protagonistë në lojën ajrore, por portieri Guci u tregua i vëmendshëm.

Në minutën e 64-t, trajneri Deliallisi hodhi në fushë Rushitin, duke shtuar alternativat në repartin ofensiv.

Por futbolli rezervon gjithmonë surpriza. Në një nga kundërsulmet e miqve, Erzeni fitoi një penallti, të cilën Velaj e shndërroi në gol, duke rikthyer avantazhin për skuadrën shijakase.

1-2, një rezultat që nuk pasqyronte atë çka skuadrat kishin prodhuar në fushën e lojës.

Megjithatë, Partizani nuk u dorëzua. Me grintë, karakter dhe këmbëngulje deri në fund, të kuqtë shtuan presionin në zonën kundërshtare. Përpjekjet e Qokthit dhe Rushitit sollën golin e shumëkërkuar të barazimit, duke çuar shifrat në 2-2.

 

Pesë minutat e fundit ishin të zjarrta. Partizani kërkoi me çdo kusht përmbysjen e madhe, ndërsa Erzeni u përqendrua në mbrojtjen e rezultatit.

Fishkëllima përfundimtare e gjyqtarit Durmishi vulosi barazimin 2-2, një rezultat që la jo pak keqardhje te të kuqtë, të cilët krijuan, dominuan, por nuk arritën të merrnin maksimumin e pikëve.

 

Pas shtatë javësh kampionat, Partizani B pozicionohet në vendin e katërt të renditjes me 11 pikë.

 

Sfida e radhës për skuadrën e drejtuar nga Alfred Deliallisi do të jetë më 21 nëntor, në transfertën e vështirë të Lushnjës, ku të kuqtë do të synojnë rikthimin te fitorja