Zyrtare: Florin Bratu është trajneri i ri i FK Partizani
FK Partizani ka kënaqësinë të njoftojë zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me trajnerin rumun Florin Daniel Bratu, i cili do të drejtojë skuadrën e kuqe gjatë sezonit 2026–2027.

46-vjeçari u prezantua nga presidenti i klubit, Gazment Demi, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij në stolin e Partizanit. Bratu firmosi një kontratë 1+1, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese, të aftë për të luftuar për trofetë dhe për të vazhduar traditën fituese të klubit.
Ish-sulmuesi i njohur rumun ka zhvilluar një karrierë të pasur si futbollist, duke veshur fanellat e klubeve prestigjioze si Rapid Bucuresht, Galatasaray, Nantes, Valenciennes dhe Dinamo Bucuresht. Me Kombëtaren e Rumanisë ai regjistroi 14 paraqitje dhe realizoi 2 gola.
Karrierën si trajner e nisi në vitin 2014, duke drejtuar fillimisht Dinamo București. Më pas ai ka qenë në krye të përfaqësueseve U18 dhe U21 të Rumanisë, si dhe ka punuar me klube në kampionatet e Rumanisë dhe Qipros. Gjatë karrierës së tij është vlerësuar për disiplinën, organizimin taktik dhe aftësinë për të zhvilluar futbollistët e rinj.
Në intervistën e tij të parë si trajner i Partizanit, Bratu u shpreh se projekti i klubit dhe potenciali që ai sheh te skuadra ishin arsyet kryesore që e bindën të pranonte këtë sfidë. Ai theksoi se synon të ndërtojë një ekip të balancuar, me identitet të qartë loje, duke i kushtuar rëndësi si fazës mbrojtëse ashtu edhe asaj sulmuese.
Trajneri rumun vlerësoi gjithashtu punën e Akademisë së Partizanit dhe la të kuptohet se futbollistët e rinj do të kenë mundësinë të fitojnë hapësira në ekipin e parë, nëse tregojnë cilësi dhe përkushtim.
Sa u përket objektivave, Bratu ishte i qartë: Partizani është një klub që duhet të luftojë për trofe. Ai u bëri thirrje tifozëve të qëndrojnë pranë skuadrës, duke premtuar përkushtim maksimal dhe punë të palodhur për t’i bërë ata krenarë.
Intervista e parë ekskluzive e Florin Bratu si trajner i Partizanit do të publikohet shumë shpejt në Partizani Channel.



















