ZYRTARE | Fabio Hyseni firmos me ekipin e parë të Partizanit

Partizani vijon të investojë te talentet e Akademisë, duke zyrtarizuar afrimin në ekipin e parë të sulmuesit të ri Fabio Hyseni. 16-vjeçari, pjesë e skuadrës U-17, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin e kuq dhe është prezantuar në ambientet e klubit nga drejtori sportiv, Agim Ibraimi.
Hyseni konsiderohet një nga elementët më premtues të Akademisë Partizani, duke spikatur këtë sezon me paraqitjet e tij dhe instinktin për golin. Sulmuesi është autor i 15 golave me ekipin U-17, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e skuadrës drejt objektivit madhor, titullit kampion.
Promovimi i tij në ekipin e parë përfaqëson një tjetër hap konkret në strategjinë e klubit për t’i dhënë hapësirë dhe besim talenteve të dala nga Akademia, duke ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme mbi bazën e lojtarëve të rinj.
Klubi i uron shumë suksese Fabio Hysenit në këtë etapë të re të karrierës së tij me fanellën e kuqe. 🔴



















