U19 rikthehet te fitorja në Durrës – përmbysje me karakter dhe lojë sulmuese .
Skuadra U19 e Partizani u rikthye te suksesi në transfertën e Durrësit, duke fituar një ndeshje spektakolare në aneksin sportiv “Niko Dovana”, e mbushur me ritëm, duele dhe kthesa të vazhdueshme rezultati.
Sfida nisi me intensitet të lartë, por në minutën e 23-të vendasit kaluan në avantazh pas një penalltie të fituar dhe të kthyer në gol nga Biba.
Të kuqtë provuan të reagojnë menjëherë, por hasën në një mbrojtje të ngjeshur.
Trajneri Fatjon Muhameti ndërhyri që në pjesën e parë duke futur në lojë Ersi Qamilin dhe Elson Himallarin në minutën e 34-t, duke shtuar prezencën në sulm dhe presionin në zonën kundërshtare, megjithatë fraksioni i parë u mbyll 1-0 për vendasit.
Në pjesën e dytë, Partizani U19 hyri në fushë me një tjetër fytyrë. Qarkullimi i topit u rrit, linjat u afruan dhe loja u zhvendos kryesisht në gjysmën e kundërshtarit.
Në minutën e 54-t, stafi teknik hodhi në fushë edhe Neid Banushin dhe Gridi Çupin, lëvizje që rezultuan vendimtare për rrjedhën e takimit.
Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 57-t, pas një aksioni të ndërtuar mirë nga krahu, erdhi krosimi në zonë dhe Dion Vata, i pozicionuar saktë, goditi me kokë duke dërguar topin në rrjetë për barazimin 1-1.

Pas golit, Partizani rriti ritmin dhe intensitetin në çdo duel.
Në minutën e 71-t, pas një aksioni të shpejtë në sulm dhe një topi të punuar në zonë, Elson Himallari finalizoi me qetësi duke përmbysur rezultatin në 1-2 për të kuqtë.
Minutat e fundit u bënë shumë të tensionuara dhe të luftuara në çdo metër të fushës. Në një moment presioni, vendasit fituan një tjetër penallti dhe në minutat e fundit Teferici shënoi për 2-2, duke rikthyer përkohësisht baraspeshën.
Megjithatë, reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm dhe plot karakter. Pa humbur kohë, të kuqtë u hodhën sërish në sulm dhe gjetën golin e fitores me anë të Neid Banushit, i cili shfrytëzoi më së miri një situatë në zonë për të dërguar topin në rrjetë dhe për të vulosur rezultatin përfundimtar në favor të Partizanit.
Një fitore dramatike dhe shumë e rëndësishme për skuadrën U19, që jo vetëm rikthen besimin pas ndeshjeve të fundit, por vjen edhe në një moment kyç të sezonit, pas hapit fals të Laçit ndaj Dinamo City në Arbane.
Ky takim shënoi edhe mbylljen e fazës së dytë të kampionatit, ndërsa tashmë pesë skuadrat më të mira do të vijojnë garën në fazën “play-off”, me pikët e përgjysmuara dhe objektiva të qarta për titullin.



















