SUPERIORE U19 | PLAY-OFF
PARTIZANI – LAÇI 1:1
Barazim që djeg për Partizanin U19 në javën e 22-të të Superiores.
Në “Arenën e Demave”, të kuqtë u ndalën në shifrat 1-1 ndaj Laçit, duke humbur një mundësi të artë për t’u shkëputur në krye të renditjes.

Një përballje e fortë, me ritëm dhe intensitet të lartë, e konsideruar si një finale e parakohshme mes dy skuadrave që kanë rivalizuar gjatë gjithë sezonit.
Partizani, i favorizuar nga faktori fushë dhe avantazhi në renditje, e nisi sfidën me kërkesë të lartë për fitore.
Rastet nuk munguan që në pjesën e parë, me Rinaldo Nelen, Arapin dhe Abdu që iu afruan golit, ndërsa miqtë nga Laçi u treguan të rrezikshëm në kundërsulm.
Një episod i diskutueshëm shoqëroi fraksionin e parë, kur lojtari i Laçit, Bibaj, pas një kartoni të verdhë, ndërhyri ashpër duke ndalur një aksion të shpejtë të Nebi Qokthit, por gjyqtari Andi Koçi vendosi të mos e ndëshkojë me kartonin e dytë.
Me rrjeta të paprekura u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën Partizani rriti presionin dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 53-të.
Një aksion model me kombinime të shpejta nxori të lirë përballë portës Erald Rrengën, i cili nuk gaboi përballë portierit Lika.
Me avantazhin minimal, të kuqtë dukeshin drejt një fitoreje të rëndësishme që do t’i shkëpuste në renditje.
Por në minutën e 87-të erdhi goditja e papritur. Pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë, Laçi arriti të barazojë shifrat, duke prishur festën e kuqe .
Një gol që rëndoi psikologjikisht Partizanin, që nuk arriti më të reagojë në minutat e mbetura, duke u mbyllur gjithçka në barazim 1-1.
Pas kësaj jave, Partizani U19 vijon të kryesojë me 29 pikë, i ndjekur nga Laçi me 28, ndërsa Bylis renditet në vendin e tretë me 23 pikë.
Katër javë nga fundi, gara për titull mbetet plotësisht e hapur.
Të besuarit e trajnerit Fatjon Muhameti do të përballen në vijim me Bylisin në shtëpi, Dinamon në transfertë, Skënderbeun në shtëpi dhe sërish Laçin, këtë herë në transfertë.



















