SUPERIORE U19 | PLAY- OFF | PARTIZANI – BYLIS 2:0 

SUPERIORE U19 | PLAY- OFF | PARTIZANI – BYLIS 2:0

 

Në “Arenën e Demave” u luajt një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 23-të, ku Partizani U19 konfirmoi edhe një herë karakterin dhe ambicien e një skuadre që nuk dorëzohet në garën për titull.

 

Një duel me peshë, emocione dhe intensitet të lartë, që mbajti të mbërthyer deri në fund rrugëtimin e dy rivalëve të njohur të kësaj grupmoshe.

 

Java e 23-të solli përballjen mes Partizanit dhe Bylisit, dy kundërshtarë të hershëm në këtë kategori.

 

Bylisi vinte në këtë sfidë në kërkim të një shansi të fundit për të besuar te matematika dhe gabimet e rivalëve, ndërsa të kuqtë kishin vetëm një objektiv: rikthimin te fitorja pas barazimit dramatik ndaj Laçit.

 

Pjesa e parë u zhvillua me shumë luftë në mesin e fushës, me duele të forta fizike dhe një Partizan më kërkues në lojë.

 

Megjithatë, Jatta dhe Rrenga nuk arritën të konkretizonin dy mundësi të mira të krijuara, duke bërë që fraksioni i parë të mbyllej pa gola.

Në pjesën e dytë, ndeshja ndryshoi ritëm, duke u karakterizuar nga më shumë dëshirë, grintë dhe intensitet në çdo top.

 

Pas shumë tentativash, goli erdhi në minutën e 80-të, kur Neid Banushi goditi brenda zonës dhe tentativa e tij u ndal me dorë nga një mbrojtës i Bylisit, duke sjellë penallti për të kuqtë. Nga pika e bardhë, Rrenga u tregua i saktë për 1:0, duke ndezur festën në “Arenën e Demave”.

 

Miqtë reaguan menjëherë duke u hedhur të gjithë në sulm në kërkim të barazimit, por mbrojtja e Partizanit qëndroi e vendosur, ndërsa portieri Zadeja ishte i sigurt në disa ndërhyrje vendimtare.

 

Në minutën e 88-të, në një kundërsulm të shpejtë, Nebi Qokthi shërbeu në krah për Sarjon Abdu, i cili përballë portës finalizoi saktë për golin e qetësisë 2:0.

Një fitore e luftuar, e merituar dhe me shumë peshë për skuadrën e Fatjon Muhametit, që vazhdon të mbajë kreun e renditjes në një kampionat tepër të fortë dhe të hapur deri në fund.

 

Me vetëm tre javë të mbetura, gjithçka mbetet e ndezur në garën për titull.

 

 

Partizani U19 do të përballet me Dinamon në “Arbana”, do të presë Skënderbeun në shtëpi dhe më pas do të udhëtojë drejt Laçit në një finale të madhe sezoni, ku çdo pikë mund të jetë vendimtare.

 

Prej sezonesh, akademia e Partizanit ka qenë një nga pretendentet kryesore për trofe, por ky titull i kësaj grupmoshe mbetet ende një objektiv i madh për t’u realizuar.