SUPERIORE U18 | PLAYOF
Partizani – Elbasani 4-3
Java e 21-të e kampionatit të 18-vjeçarëve solli përballjen e radhës për të kuqtë e drejtuar nga Aldo Duro. Një ndeshje ku fitorja ishte detyrim për të ruajtur ritmin dhe për t’u rikthyer përkohësisht në krye të renditjes.
Në letër dukej një takim i lehtë dhe ashtu rezultoi… por vetëm për 45 minuta. Pjesa e parë ishte spektakolare për Partizanin, që dominoi totalisht lojën dhe konkretizoi epërsinë me katër gola: Riseld Hoxha në minutën e 5-të, Uesli Arapi në të 33-tën, Rei Zekaj në të 37-tën dhe Ergit Hyka në minutën e 45-të. Një paraqitje bindëse dhe një rezultat i pastër që pasqyronte epërsinë në fushë.
Megjithatë, pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Ritmi i lojës ra ndjeshëm dhe zëvendësimet nuk arritën të ruanin të njëjtin intensitet. Kjo bëri që Partizani të vihej në vështirësi, duke pësuar tre gola brenda një harku të shkurtër kohor dhe duke rrezikuar seriozisht fitoren.
Në fund, sfida u mbyll me rezultatin 4-3 në favor të të kuqve.
Me këtë fitore, Partizani U18 ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 30 pikë, i ndjekur nga Tirana me 28 pikë.



















