SUPERIORE U17 | PLAY-OFF | PARTIZANI – TIRANA 4:2 

SUPERIORE U17 | PLAY-OFF | PARTIZANI – TIRANA 4:2 

 

Java e 23-të e kampionatit U17 solli një nga përballjet më të rëndësishme të fazës “play-off”, ku Partizani dhe Tirana u sfiduan në një derbi me peshë të madhe për kreun e renditjes dhe garën për titull.

 

Në “Arenën e Demave”, Partizani U17 dominoi derbin e 17-vjeçarëve ndaj Tiranës, duke marrë fitoren e katërt ndaj bardhebluve këtë sezon dhe duke forcuar pozitat në krye të renditjes.

 

 

Sfida nisi keq për të kuqtë, pasi Velaj shënoi në minutën e 3-të me një goditje nga jashtë zone, duke kaluar miqtë në avantazh.

 

Reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm, me presion të lartë dhe kontroll të lojës.

 

 Hyseni dhe Himallari krijuan rrezik nga krahët, ndërsa Tasho dhe Subashi u afruan golit në disa situata standarde, por pa finalizim. Në minutën e 37-të, Hyseni depërtoi fuqishëm në zonë dhe u ndal në mënyrë të parregullt nga mbrojtja bardheblu, duke sjellë penallti për të kuqtë.

 Nga pika e bardhë, Himallari u tregua i saktë për 1:1.

 

Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe përmbysja: një aksion i shpejtë në krah përfundoi me një top të futur në zonë nga Alban Hitaj, ku mbrojtja e Tiranës nuk arriti ta largojë si duhet dhe Krrashi, i pozicionuar shumë mirë, reagoi menjëherë duke goditur saktë dhe duke e dërguar topin në rrjetë për 2:1, duke përmbysur derbin brenda 45 minutave të para.

 

 

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin dëshirë dhe volum të lartë loje , me Partizanin që vijoi të shtynte përpara, duke sulmuar dhe kërkuar me ngulm golin e sigurisë.

 Megjithatë, Tirana mbeti e rrezikshme në kundërsulm dhe pikërisht në një nga daljet e shpejta arriti të godasë, ku Ademi finalizoi saktë për të rikthyer baraspeshën në 2:2.

Trajneri Algert Hurdhës reagoi menjëherë duke i dhënë freski skuadrës me aktivizimet e Peren, Lataj dhe Lushakut, duke rritur intensitetin dhe ekuilibrin në lojë.

 

 

Në minutën e 73-të, një aksion i ndërtuar me shumë kujdes përfundoi te Elson Himallari, i cili me një goditje perfekte me të majtën e dërgoi topin në trekëndësh, duke rikthyer avantazhin për Partizanin dhe duke ndezur sërish ndeshjen.

Vetëm pesë minuta më vonë, erdhi edhe goditja finale.

Fabio Hyseni me një lëvizje të shpejtë lëshoi një goditje të fuqishme me të djathtën, duke e çuar topin në rrjetë për 4:2, një gol që vulosi përfundimisht derbin dhe konfirmoi dominimin e të kuqve në këtë përballje.

Në minutat e fundit, Janushaj dhe Shkëmbi u aktivizuan për të mbajtur ekuilibrin dhe qetësinë në lojë deri në fund.

 

 

Me këtë fitore, Partizani U17 mban kreun e renditjes me 35 pikë, vetëm një pikë mbi Vorën, duke mbajtur të hapur garën për titull deri në javët e fundit të sezonit.

Ndërkohë që kanë mbetur edhe tre finale deri në fund të sezonit, Partizani U17 do të udhëtojë drejt Durrësit për t’u përballur me Teutën, më pas do të presë në shtëpi Vllazninë dhe në fund do të luajë sfidën vendimtare në fushën e Vorës, në një garë për titull mbetet e hapur deri në javën e fundit.