Speciale | Nis transformimi i Kompleksit Partizani, startojnë punimet në “Arena e Demave”

Speciale | Nis transformimi i Kompleksit Partizani, startojnë punimet në “Arena e Demave”

Një projekt i shumëpritur nga tifozët e Partizanit ka hyrë tashmë në fazën konkrete të realizimit. Në ambientet e kompleksit kanë nisur punimet për transformimin e infrastrukturës sportive, duke shënuar fillimin e një etape të re për klubin e kuq.

Puna ka nisur në “Arena e Demave”, aty ku po hiqet tapeti artificial për t’i hapur rrugë ndërtimit të fushës së re. Impianti do të pajiset me bar hibrid, i përbërë në masën 90-95% nga bar natyral dhe pjesa tjetër nga fibra artificiale, një standard i përdorur gjerësisht në stadiumet moderne europiane.

Ky është vetëm hapi i parë i projektit madhor që do të transformojë plotësisht Kompleksin Partizani. Projekti parashikon ndërtimin e një fushe kryesore me bar hibrid, dy fushave të tjera me bar artificial, si dhe krijimin e hapësirave moderne sportive dhe rekreative në funksion të ekipit të parë dhe akademisë.

Në fazat e ardhshme do të ndërtohen gjithashtu ambiente rehabilitimi dhe rikuperimi për lojtarët, pishina, SPA, fusha padeli dhe hapësira të tjera multifunksionale, duke e kthyer kompleksin në një nga qendrat sportive më moderne në vend.

Ky investim 100% privat përfaqëson një nga projektet më ambicioze në historinë e klubit dhe një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së Partizanit.

Një projekt i shumëpritur tashmë ka hyrë në fazën e realizimit, ndërsa Kompleksi Partizani po nis të marrë dalëngadalë pamjen e së ardhmes së klubit të kuq. 🔴⚫