BYLIS 1 – 2 PARTIZANI / JAVA 23
Përmbysje dramatike në Ballsh, të kuqtë rikthehen te fitoret
Java e 23-të e kampionatit ka rikthyer Partizanin te fitorja, pas një suksesi të madh të arritur të premten në transfertë ndaj Bylisit. Të kuqtë e drejtuar nga Oltijon Kërnaja triumfuan me përmbysje 2–1, në një ndeshje të mbushur me emocione deri në sekondat e fundit.

Sfida nisi me ritëm të lartë, teksa Partizani krijoi rastet e para të pastra. Human dhe Toma në minutat 9′ dhe 13′ shpërdoruan dy mundësi ideale për të kaluar kryeqytetasit në avantazh. Megjithatë, në minutën e 29-të ishin vendasit që gjetën rrugën e rrjetës, me Fokam që përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes së kuqe dhe gjeti avantazhin për Bylisin.

Shtatë minuta më vonë, Partizani pretendon për një penallti, pasi Sidibe u rrëzua në zonë, por arbitri kryesor Lata vendos vazhdimin e lojës. Të kuqtë tentuan të rikthejnë barazpeshën përpara pushimit, por goditja e Sidibes përfundoi në rrjetën e jashtme.

Në pjesën e dytë, trajneri Kërnaja ndërhyri me ndryshime taktike, duke aktivizuar Fadairon dhe Shabanin në vend të Isgandarlit dhe Qakës së dëmtuar. Partizani shton presionin dhe në minutën e 48-të ishte sërish Human që provoi nga distanca. Në vazhdim, hyrja në lojë e Contreras, Atanaskoskit dhe Muratajt i dha më shumë qarkullim dhe superioritet në lojë skuadrës së Kërnajës.
Këmbëngulja u shpërblye në minutën e 81-të, kur Toma devijoi saktë harkimin perfekt të Bytyçit, duke rikthyer baraspeshën dhe rihapur ndeshjen. Kulmi i emocioneve erdhi në minutat shtesë, ku Human brenda zonës u tregua i saktë, duke shënuar në min 91′ golin e fitores dhe duke kompletuar një përmbysje spektakolare për Partizanin.

Me këtë triumf, skuadra e Kërnajës regjistron një tjetër fitore “në frymën e fundit”, duke treguar grintë dhe shpirt gare deri në vërshëllimën finale. Pas javës së 23-të, Partizani renditet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa të mërkurën e ardhshme do të udhëtojë drejt Elbasanit për ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës.



















