PARTIZANI VAJZA : NGA KOMBËTARJA TEK SEZONI I RI

Sezoni i ri po afron për Partizanin e vajzave, por përpara startit të kampionatit, vëmendja shkon te katër futbolliste të kuqe që do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

 

Elin Hasanaj, Tea Hasanaj, Reiana Jahelezi dhe Ava Hysenaj janë grumbulluar me Kombëtaren shqiptare U17 për ndeshjet e raundit të parë të UEFA European Women’s Under-17 Championship, League B.

 

Një vlerësim i rëndësishëm për sektorin e vajzave të Partizanit, veçanërisht për Tea dhe Elin Hasanaj. Dy futbollistet janë vetëm 14 vjeç, por paraqitjet e tyre u kanë dhënë mundësinë të jenë pjesë e përfaqësueses së një grupmoshe më të madhe.

 

Të katërta futbollistet vijnë nga skuadra U17 e Partizanit që sezonin e kaluar u shpall kampione nën drejtimin e trajneres Cyme Lulaj.

 

Vajzat e kuqe do të jenë në dispozicion të Kombëtares nga 24 shtatori deri më 4 tetor, ndërsa Shqipëria do t’i zhvillojë në vendin tonë tri takimet e këtij raundi, përballë Azerbajxhanit, Republikës së Irlandës dhe Kosovës.

 

Paralelisht me angazhimin e katër futbollisteve në Kombëtare, Partizani ka mësuar edhe rrugëtimin që e pret në Kategorinë Superiore të Vajzave për sezonin 2026–2027.

Vajzat e kuqe do të debutojnë më 26 shtator, duke pritur Kinostudio Femra. Java e dytë i dërgon në transfertë ndaj Lushnjës, më 3 tetor, ndërsa pas pushimit të parashikuar në kalendar, më 17 tetor vjen përballja në shtëpi me Vllaznia Femra.

 

Më pas kalendari rezervon transfertën ndaj Apolonisë, më 24 tetor, dhe sfidën në shtëpi me Atletik Klub, më 31 tetor.

 

Në dy javët e fundit të fazës së parë, Partizani do të udhëtojë drejt Rrogozhinës për t’u përballur me Egnatian, më 7 nëntor, ndërsa më 14 nëntor do të presë Teutën, në takimin që mbyll shtatë javët e para të kampionatit.

 

Një periudhë intensive nis për vajzat e kuqe : fillimisht me përfaqësimin e katër futbollisteve në Kombëtaren U17 dhe menjëherë më pas me rrugëtimin e skuadrës së kuqe në edicionin e ri të Kategorisë Superiore.