Partizani U19 vijon përgatitjet intensive, synimi mbrojtja e titullit dhe një paraqitje dinjitoze në Europë

Partizani U19 vijon me intensitet të lartë përgatitjet në prag të sezonit të ri futbollistik 2026–2027. Në Shtëpinë e Futbollit, të kuqtë po zhvillojnë një fazë të rëndësishme përgatitore, me fokus të plotë te ndërtimi i skuadrës dhe përgatitja për sfidat që i presin gjatë sezonit.

Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti vjen në këtë sezon me një objektiv të qartë: të jetë sërish protagoniste dhe të luftojë për mbrojtjen e kurorës kampione. Partizani U19 e mbylli sezonin e kaluar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u shpallur kampion i kësaj grupmoshe, ndërsa tashmë kërkon të konfirmojë edhe një herë forcën e akademisë së kuqe.












Një sfidë e veçantë për ekipin do të jetë edhe aventura europiane. Partizani U19 do të marrë pjesë në UEFA Youth League, kompeticioni ku talentet e rinj kanë mundësinë të maten me skuadra dhe akademi të rëndësishme të futbollit europian. Në fund të muajit gusht pritet të hidhet shorti, i cili do të përcaktojë kundërshtarin e të kuqve në këtë kompeticion.
Për trajnerin Fatjon Muhameti, puna nuk lidhet vetëm me rezultatet. Krahas synimit për të mbrojtur titullin kampion, një nga objektivat kryesorë mbetet formimi dhe zhvillimi i talenteve, duke i përgatitur ata për hapin e radhës në karrierë dhe për një të ardhme në ekipet Partizani B dhe skuadrën e parë.

Me një grup të talentuar dhe një staf që po punon intensivisht për të ndërtuar një skuadër konkurruese, Partizani U19 synon të jetë sërish në qendër të vëmendjes në futbollin shqiptar të moshave, ndërsa aventura europiane do të jetë një tjetër mundësi për të treguar vlerat e akademisë së kuqe.

Kampionët kanë nisur rrugëtimin. Synimi është i qartë: të mbrojnë kurorën dhe të rrisin brezin e ardhshëm të Partizanit.



















