Në një sezon ku skuadra e parë e Partizanit nuk do të jetë pjesë e kompeticioneve europiane, ngjyrat e kuqe do të përfaqësohen në arenën ndërkombëtare nga kampionët e Shqipërisë në kategorinë U19.
Partizani U19 do të marrë pjesë në edicionin 2026/27 të UEFA Youth League, pas një sezoni të jashtëzakonshëm në kampionatin shqiptar.
Skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti dominoi sezonin që lamë pas, duke siguruar titullin kampion dhe duke triumfuar edhe në Kupën e Shqipërisë. Një dopietë e merituar për të kuqtë, të cilët rikthyen trofetë në “Shtëpinë e Kuqe” dhe tashmë përgatiten për një tjetër sfidë, këtë herë në arenën europiane.
MË 1 SHTATOR MËSOHET KUNDËRSHTARI
Shorti i “Domestic Champions Path” do të zhvillohet më 1 shtator në Nyon, ku Partizani do të mësojë kundërshtarin e raundit të parë.
Në këtë fazë janë të përfshira kampionët e disa vendeve europiane, mes tyre Ballkani, Brera Strumica, Cardiff Met, Cliftonville, Dinamo Tbilisi, Dinamo Minsk, FC Santa Coloma, FC Urartu, Flora Tallinn, HJK, Kairat Almaty, Lincoln Red Imps, Mladost, Sheriff, Super Nova, Thor, UNA Strassen, Valletta, Zalgiris dhe skuadra të tjera.
Ndeshja e parë e raundit të parë është programuar për 16 shtator, ndërsa takimi i kthimit do të luhet më 14 tetor. Në rast kualifikimi, Partizani do të vijojë rrugëtimin në raundin e dytë dhe më pas në raundin e tretë, me objektivin për të siguruar një vend në fazën e 1/32-ve.
“SHTËPIA E KUQE” PO MERR FORMË

Paralelisht me përgatitjet e skuadrës për aventurën europiane, puna vijon edhe në “Shtëpinë e Kuqe”, ku po punohet për ndërtimin e fushave të reja të stërvitjes.
Infrastruktura e re synon t’u krijojë skuadrave të Partizanit, veçanërisht skuadrës parë dhe ekipeve të Akademisë, mundësinë që të zhvillojnë sa më shpejt procesin stërvitor në ambientet e tyre, duke afruar çdo ditë e më shumë strukturat e klubit me shtëpinë e re.

✍️ @Pap.Kodra



















