Partizani U19 mbyll sezonin në vendin e dytë pas një finale dramatike ndaj Skënderbeut

Partizani U19 mbyll sezonin në vendin e dytë pas një finale dramatike ndaj Skënderbeut

 

Partizani U19 e ka mbyllur sezonin në vendin e dytë, pas një finale dramatike të zhvilluar në aneksin sportiv “Skënderbeu” në Korçë, përballë skuadrës vendase që kryesonte kampionatin me vetëm një pikë më shumë.

 

Të kuqtë nisën mirë takimin dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 42-të me anë të Rinaldo Nelës, duke parë veten përkohësisht në vendin e parë të renditjes. Megjithatë, vetëm pak sekonda pas startit të pjesës së dytë, Skënderbeu arriti të barazojë rezultatin, duke marrë me vete edhe entuziazmin e publikut vendas.

 

Ky moment i riktheu besimin korçarëve, të cilët në vijim përmbysën gjithçka, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë reagimin e skuadrës së drejtuar nga Fatjon Muhameti. Partizani pati mundësinë më të mirë për të rihapur sfidën në minutën e 85-të, kur fitoi një penallti, por Nebi Qokthi gaboi nga pika e bardhë, duke e dërguar topin jashtë kuadratit.

 

Minutat e fundit sollën tension të lartë dhe dy kartonë të kuq, një për secilën skuadër – Hidri për Partizanin dhe Xhixho për Skënderbeun.

 

Me fishkëllimën përfundimtare të arbitrit Florjan Lata, u mbyll kjo ndeshje dramatike, me Skënderbeun që u shpall kampion i Shqipërisë për grupmoshën U19.