Partizani U19 është fitues i Kupës së Shqipërisë dhe sezoni fantastik i të kuqve vuloset me “double”!

Pas rikthimit te trofeu më i rëndësishëm i futbollit të moshave, titulli kampion, skuadra e drejtuar nga Fatjon Muhameti triumfon edhe në Kupë, duke mposhtur Teutën në finale me rezultatin e pastër 3:0. Një dominim absolut i Partizanit, që këtë sezon vendosi diktat në çdo kompeticion.
Të kuqtë mbërritën në finale pas dy fitoreve spektakolare ndaj Skënderbeut 5:1 në çerekfinale dhe Dinamo Cityt 4:1 në gjysmëfinale, ndërsa edhe përballë Teutës hynë si favoritë absolutë. Diferencat mes skuadrave ishin të dukshme edhe gjatë sezonit, me Partizanin që dominoi kampionatin, ndërsa Teuta luftoi për mbijetesë në grupin “play-out”.
Finalja nisi me vrullin e Partizanit, që kërkoi golin që në minutat e para. Në minutën e 8-të, Nebi Qokthi pengohet brenda zonës pas një depërtimi të rrezikshëm, por arbitri Bacaj nga Laçi hesht, duke mohuar një penallti të pastër për të kuqtë.
Një tjetër moment i diskutueshëm vjen në minutën e 41-të, kur pas një goditjeje dënimi topi prek dorën e një lojtari të Teutës brenda zonës, por sërish arbitri lejon vazhdimin e lojës mes protestave të pankinës së kuqe.
Por Partizani nuk ndalet. Në minutën e 43-të shpërthen festa e kuqe! Neid Banushi lëshon një goditje fantastike nga jashtë zone me të majtën, duke tundur rrjetën dhe ndezur tribunën: 1:0!
Pak çaste më vonë, sfida ndizet edhe më shumë. Kapiteni Qamili ndëshkohet me dy kartonë të verdhë brenda tre minutash dhe lë Partizanin me 10 lojtarë. Vendim që solli shumë tension dhe pakënaqësi në pankinën e kuqe, por skuadra e Fatjon Muhametit tregoi karakter dhe qetësi.
Në pjesën e dytë, edhe pse në inferioritet numerik, Partizani u shfaq kompakt, inteligjent dhe vrastar në kundërsulm. Jatta, Abdu dhe Qokthi krijuan vazhdimisht probleme për mbrojtjen kundërshtare, ndërsa goli i qetësisë erdhi në minutën e 76-të.
Një kundërsulm perfekt, kombinime të shpejta mes Abdu Gibos dhe Nebi Qokthit, me këtë të fundit që finalizon në mënyrë perfekte për 2:0 dhe ndez edhe njëherë atmosferën kuqe.
Teuta provoi të reagonte, por Partizani ishte i pamëshirshëm. Në minutat e fundit, një tjetër kundërsulm vrastar dhe sërish Nebi Qokthi vulos finalen me golin e tretë për rezultatin përfundimtar 3:0.
Një triumf plotësisht i merituar për Partizanin U19, që këtë sezon dominoi në çdo aspekt fitore, gola, golavarazh dhe trofe. Të kuqtë jo vetëm fituan, por bindën me lojë, karakter dhe mentalitet fitues.
Në statistikat individuale spikat edhe Erald Rrenga, i cili me 13 gola në kampionat dhe 3 në Kupë, mban Partizanin në krye edhe në aspektin e golashënuesve.
Merita të mëdha për këtë sukses ka trajneri Fatjon Muhameti, i cili në tre sezone te grupmoshat e Partizanit ka fituar plot 4 trofe 2 kampionate dhe 2 kupa duke ndërtuar një skuadër me identitet, grintë, frymë grupi dhe uri për fitore në çdo sfidë.
Partizani U19, kampion dhe fitues i Kupës. Një sezon për t’u mbajtur mend.



















