Partizani U18 shfaq forcën dhe mbyll fazën e dytë në krye të renditjes !

Partizani U18 shfaq forcën dhe mbyll fazën e dytë në krye të renditjes !

Një tjetër fitore emocionuese u arrit në aneksin sportiv “Niko Dovana”, ku këtë herë ishin të besuarit e trajnerit Aldo Duro që dhuruan emocione të forta në duelin e fundit të fazës së dytë përballë vendasve të Teutës.

 

Të kuqtë vinin pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive dhe fitorja ishte kusht për ta mbyllur këtë fazë në krye të tabelës. Megjithatë, sfida nisi jo në mënyrën më të mirë për Partizanin, pasi Tafili kaloi në avantazh Teutën që në minutën e 11-të.

 

Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të rikthyer baraspeshën, vendasit zhvilluan një pjesë të parë agresive, me ndalesa të shumëta , tentativa për të ulur ritmin e lojës së skuadrës së kuqe.

 

Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin minimal të Teutës.

 

Në pjesën e dytë pritej reagimi i një skuadre me karakter dhe përgjigjja erdhi. Në minutën e 64-t, Orgito Lleshaj u tregua i saktë, duke vendosur qetësinë në kampin e kuq dhe duke rikthyer barazpeshën në rezultat.

 

Ky gol i dha besim dhe forcë Partizanit, që rriti presionin në minutat në vijim.

 

Sulmet e njëpasnjëshme u shpërblyen në minutën e 88-të, kur Partizani U18 fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Rei Zekaj golashënuesi më i mirë i këtyre 18 javëve u tregua i ftohtë dhe i saktë, duke përmbysur rezultatin.

 

Në minutat e mbetura, të kuqtë treguan pjekuri dhe rezistencë, duke ruajtur avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare dhe duke siguruar një sukses shumë të rëndësishëm për javën e 18-të.

Pas kësaj fitoreje, Partizani U18 ngjitet në vendin e parë të renditjes me 22 pikë ( të përgjysmuara ), duke e mbyllur fazën e dytë në krye dhe duke konfirmuar momentin e shkëlqyer të skuadrës.