Skuadra e 18-vjeçarëve e nisi kampionatin me një fitore të pastër në sfidën hapëse të sezonit. Në përballjen e javës së parë, kalendari kishte rezervuar duelin ndaj Akademisë.
Nën drejtimin e trajnerit Algert Hurdha, Partizani zbriti në fushë me një formacion me disa ndryshime, ku binte në sy Noel Dalipi në krye të sulmit dhe Orest Elezi, dy lojtarë të ardhur nga Akademia Dyrrah City.
Sfida nisi me një Partizan shumë sulmues, në kërkim të një goli të shpejtë. Dhe nuk do të vononte shumë.
Në minutën e 3-të, të kuqtë gjetën rrugën e rrjetës. Noel Dalipi bëri debutimin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke ndarë festën me shokët e skuadrës.
Partizani kontrollonte lojën dhe vazhdonte të kërkonte golin e dytë . Skuadra e Akademise do te rezistonte për me shume se 30 mintua sulmeve te nje pas njeshme .
Në minutën e 36-të, sulmuesi i kuq shënoi golin e dytë personal dhe të dytin për Partizanin.
Të kuqtë nuk u ndalën dhe në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i tretë. Në minutën e 43-të, Briken Janushaj realizoi për 3-0.
Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Me të njëjtën dëshirë dhe ritëm nisi edhe fraksioni i dytë. Në minutën e 57-të, Noel Dalipi kompletoi tripletën personale, duke çuar rezultatin në 4-0.
Akademia gjeti golin e vetëm në minutën e 62-të, pas një gabimi në prapavijën e Partizanit, të cilin Dervishaj e shfrytëzoi për të shënuar.
Por sfida do të kishte kohë edhe për një tjetër moment spektakolar.
Pas një krosimi perfekt të Saad Halilit, Noel Dalipi kërceu fort dhe me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 5-1.
Poker golash për Noel Dalipin, protagonist absolut dhe lojtari i ndeshjes në debutimin e tij me Partizani U18.
Me vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Nuhi u mbyll edhe takimi i javës së parë, me Partizanin që regjistroi një fitore bindëse 5-1.
Tashmë, në javën e dytë, të kuqtë i pret një tjetër duel interesant, këtë herë në Arbane, përballë Dinamo City.



















