Partizani U17 siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj Vorës

17-vjeçarët i bëjnë  dhuratë fitoren  trajnerit Aldo Duro për ditëlindje e tij !

Partizani U17 siguroi një fitore minimale 1-0 ndaj Vorës në një përballje që nuk rezultoi aspak e lehtë.

Pjesa e parë nisi me të kuqtë që morën iniciativën dhe kërkuan golin që në start. Lleshaj dhe Hyka u shfaqën rrezikshëm në disa tentativa radhazi, por goli erdhi vetëm në minutën e 32-të. Nga një goditje këndi, Ergit Hyka, si gjithmonë, nuk fali, duke shfrytëzuar momentin dhe dërguar topin në rrjetë me kokë. Ky ishte goli i tij i 20-të me fanellën e kuqe, duke vazhduar formën e shkëlqyer. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të të kuqve.

Fraksioni i dytë nisi me të njëjtën dëshirë për sulm nga Partizani. Në minutën e 54-t, Ergit Hyka fitoi një 11-metërsh, por Musa Lleshaj nuk arriti ta kthente në gol. Pas këtij momenti, të kuqtë u përqendruan më shumë në menaxhimin e lojës, ndërsa Vora ushtroi presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit. Gjithsesi, ndërhyrjet e sakta të mbrojtjes dhe pritjet e portierit Qefalia mbajtën portën të paprekur, duke siguruar një fitore të rëndësishme.

Me këtë sukses, Partizani U17 rikthehet në vendin e parë me 27 pikë, duke vazhduar garën në krye të kampionatit.