Java e tretë e kampionatit të të rinjve solli një tjetër derbi për Partizanin U17, këtë herë përballë Dinamo City në Qendrën Kombëtare Sportive në Kamëz.

Pas dy humbjeve në dy javët e para, skuadra e drejtuar nga Bektash Çapoku zbriti në fushë me një objektiv të qartë: fitoren e parë të sezonit.
Të kuqtë e nisën takimin me Hoxhën në portë, Qelemenin dhe Prebibajn në qendër të mbrojtjes, ndërsa Dani dhe Mesiti u pozicionuan në krahë. Në mesin e fushës u aktivizuan Bardhi, Hidri dhe Dina, ndërsa repartin ofensiv e formuan Buçka, Hasa dhe Hyseni.

Partizani mori menjëherë kontrollin e lojës, duke ushtruar presion dhe kërkuar golin që në minutat e para. Volumi i lojës dhe rastet e krijuara u shpërblyen në minutën e 39-të, kur Orest Buçka zhbllokoi sfidën dhe kaloi të kuqtë në avantazh.
Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Edhe pas pushimit, Partizani ruajti të njëjtin ritëm. Çapoku i besoi formacionit startues dhe përgjigjja erdhi në minutën e 54-t, kur Fabio Hyseni realizoi golin e dytë, duke i dhënë më shumë qetësi skuadrës.
Vetëm shtatë minuta më vonë, në të 61-ën, Arbias Qelemeni gjeti gjithashtu rrugën e rrjetës. Mbrojtësi vulosi rezultatin 3-0 dhe praktikisht siguroi tre pikët e para për të kuqtë.

Me avantazhin e trefishtë, Partizani administroi me qetësi minutat e mbetura, ndërsa porta e Hoxhës mbeti e paprekur.
Në vazhdim, Çapoku freskoi skuadrën me aktivizimin e Shullazit dhe Markut gjatë minutave 63-65, ndërsa në fund pati hapësirë edhe për portierin Dervishi, si dhe për Gjonajn dhe Kuniqin.
Vërshëllima përfundimtare konfirmoi suksesin 3-0 dhe fitoren e parë të Partizanit U17 në këtë kampionat.

Tre pikë me rëndësi jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës së Bektash Çapokut, e cila tashmë kthen vëmendjen nga sfida e ardhshme. Fundjavën e ardhshme, të kuqtë do të përballen me Elite Youth, në një tjetër test të fortë të kampionatit.



















