Partizani mëson kalendarin e Abissnet Superiores, sezoni nis në “Air Albania”
Është hedhur shorti i kalendarit të sezonit 2026-2027 të Abissnet Superiores, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Partizani ka mësuar rrugëtimin dhe kundërshtarët .

Për shkak të punimeve që po zhvillohen në stadiumin dhe kompleksin sportiv “Partizani”, skuadra e drejtuar nga trajneri rumun Florin Bratu do t’i zhvillojë ndeshjet si pritëse në stadiumin “Air Albania”.

Të kuqtë do ta nisin sezonin me dy ndeshje radhazi në shtëpi. Në javën e parë do të presin Teutën, ndërsa një javë më vonë do të përballen me Laçin.

Në javën e tretë Partizani do të udhëtojë drejt Shkodrës për sfidën ndaj Vllaznisë, ndërsa në javën e katërt rikthehet në kryeqytet për përballjen me Dinamo City. Më pas, në javën e pestë, “Demat e Kuq” do të luajnë në transfertë ndaj kampiones në fuqi, Egnatias, në Rrogozhinë.
Një nga sfidat më të shumëpritura të fazës së parë do të zhvillohet në javën e gjashtë, ku kalendari ka rezervuar derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.
Kalendari vijon me transfertën ndaj Vorës në javën e shtatë, sfidën ndaj Skënderbeut në Tiranë në javën e tetë, ndërsa faza e parë mbyllet me udhëtimin në Elbasan për ndeshjen ndaj ekipit vendas.
Ndërkohë, Partizani vijon përgatitjet intensive nën drejtimin e Florin Bratut, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të qenë protagoniste në garë për trofe në sezonin 2026-2027.
Formati i ri i Abissnet Superiores
Sezoni i ri do të jetë edhe i pari që do të zhvillohet me formatin e ri të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.
Kampionati do të zhvillohet në tre faza të rregullta, me gjithsej 27 javë. Në përfundim të tyre, pikët e grumbulluara do të përgjysmohen dhe skuadrat do të ndahen në dy grupe.
Gjashtë ekipet e para do të garojnë në fazën Play-Off, ku do të përcaktohet skuadra kampione dhe ekipet pjesëmarrëse në kompeticionet europiane, ndërsa katër skuadrat e fundit do të luajnë në Play-Out, për të vendosur fatin e mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar.



















