Partizani dhe Dinamo ndahen në barazim pas një ndeshjeje dramatike

Partizani dhe Dinamo ndahen në barazim pas një ndeshjeje dramatike

Atmosferë festive dhe mot i ngrohtë shoqëruan një sfidë emocionuese mes Partizanit dhe Dinamos, e cila përfundoi me rezultatin 1-1 pas një ndeshjeje të luftuar deri në fund. Të dyja skuadrat mbetën të barabarta në krye të tabelës me nga 38 pikë.

Pjesa e parë ishte karakterizuar nga  dyluftime dhe grinte, por rastet konkrete munguan. Në minutën e dytë shtesë, sulmuesi i Partizanit, Bintsouka, pati shansin më të mirë për të zhbllokuar rezultatin, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë të portierit Aldo Teqja. 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura, 0-0.

Fraksioni i dytë nisi me një ritëm më të lartë. Partizani u tregua më kërkues dhe në minutën e 47-të tentoi të kalonte në avantazh me anë të Janjevës, por pa sukses. Vetëm tre minuta më vonë, Dinamo realizoi golin e parë të ndeshjes pas një kundërsulmi të shpejtë, duke vendosur presion mbi të kuqtë.

Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, reagoi duke aktivizuar dy debutues, Muhanad Mandon dhe Besar Guxhufin, në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Megjithatë, Dinamo mbrojti mirë avantazhin deri në minutën e 92-të, kur tifozeria e kuqe shpërtheu në festë. Një krosim i saktë i Janjevës gjeti Bintsoukën, i cili me një goditje të bukur barazoi rezultatin në 1-1.

Në fund, Partizani pretendoi për një penallti pas një episodi të diskutueshëm, por gjyqtari Juxhin Xhaja e konsideroi gjithçka të rregullt.

Ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë, duke mbajtur të hapur garën për kreun e tabelës.

Në javën e ardhshme, Partizani do të përballet me Laçin, ndërsa derbi tjetër i kryeqytetit në javën e 24-t pritet të sjellë një tjetër spektakël.