PARTIZANI B NDALËT NË SHKODËR, SHIROKA FITON 2–1
Kategoria e Dytë | Grupi A | Java 2
Stadiumi “Reshit Rusi”
Shiroka – Partizani B 2–1

Java e dytë e kampionatit e gjeti Partizanin B sërish në transfertë, këtë herë në veri të vendit, ku të kuqtë u përballën me Shirokën në stadiumin “Reshit Rusi”.
Takimi nisi me ritëm të lartë. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 18-të me Kaçubelën, por reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm. Vetëm pesë minuta më vonë, Mangalalo gjeti rrugën e rrjetës dhe riktheu baraspeshën në 1–1.
Barazimi, megjithatë, zgjati pak. Në minutën e 28-të, Shpuza shkaktoi një penallti, duke i dhënë Shirokës mundësinë për të rimarrë avantazhin. Erjon Vucaj mori përsipër ekzekutimin dhe, me eksperiencën e tij, e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2–1.
Në minutën e 36-të, trajneri Alfred Deliallisi ndërhyri në formacion, duke larguar Shpuzën dhe aktivizuar Rrengën. Pavarësisht përpjekjeve të Partizanit B, pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2–1 të vendasve.
Edhe fraksioni i dytë nisi me ndryshime për të kuqtë. Rushiti mori vendin e Qokthit, ndërsa Partizani rriti përpjekjet në kërkim të golit të barazimit. Shiroka u organizua mirë në prapavijë, duke mbyllur hapësirat dhe vështirësuar manovrën sulmuese të të kuqve.
Në minutën e 59-të u aktivizuan Bocka dhe Hasanas për t’i dhënë më shumë lëvizshmëri skuadrës, ndërsa dhjetë minuta më vonë erdhi edhe debutimi i 19-vjeçarit nigerian Cyrril. Ky i fundit u shndërrua në një nga lojtarët më aktivë të Partizanit, së bashku me Mangalalon, duke krijuar disa mundësi përpara portës vendase.
Në kërkim të golit të barazimit, Partizani pretendoi edhe për dy episode të dyshimta për penallti. Në të dyja rastet protagonist ishte Marselo Gjuzi: fillimisht pas një gjuajtjeje të tij që u ndal në dorën e një mbrojtësi dhe më pas pas një pengese brenda zonës. Gjyqtari Latifi ishte i vendosur në vlerësimin e tij, duke mos akorduar penallti në asnjërin rast.
Të kuqtë vijuan të kërkonin golin deri në fund, por pa mundur të ndryshonin rezultatin. Sfida u mbyll 2–1 për Shirokën, duke regjistruar humbjen e parë të Partizanit B në këtë sezon.
Pas dy javësh kampionat, Partizani B renditet në vendin e tetë me një pikë. Takimi i radhës për skuadrën e Alfred Deliallisit do të jetë ndaj All Eagle FA, më 10 tetor.



















