Partizani B godet në minutën 101 dhe merr një fitore dramatike !

Partizani B ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj kryesuesve të Orikut, duke marrë 3 pikë të arta në një ndeshje të mbushur me tension dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Klubi i kishte dhënë rëndësi maksimale këtij takimi, teksa 24 orë përpara sfidës skuadra e drejtuar nga Ergys Luga kishte udhëtuar drejt jugut dhe ishte akomoduar pranë zonës së ndeshjes, për të qenë sa më e përgatitur fizikisht dhe moralisht ndaj një kundërshtari që nuk njihte humbje prej 7 javësh.
Partizani B e nisi sfidën me këtë formacion: në portë Endri Allmuça, ndërsa në mbrojtje Bunkoev, Bakalli dhe Kokomani. Mesfusha u përbë nga Malaj, Jatta, Ndrejaj dhe Kola, ndërsa në sulm u rreshtuan Goga, Contreras dhe Qokthi.
Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me shumë duele fizike, ku u dallua qartë dëshira e skuadrës së kuqe për të marrë maksimumin nga kjo përballje, por 45 minutat e para u mbyllën pa gola.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin formacion, deri në minutën e 60-të, kur trajneri Luga ndërhyri me tre zëvendësime, duke hedhur në fushë Mando, Gjuzi dhe Gjeçi.
Me kalimin e minutave, tensioni u rrit, pasi asnjëra skuadër nuk ishte e kënaqur me barazimin. Vendasit kërkonin të ruanin kryesimin, ndërsa Partizani B synonte të ngushtonte diferencën me vendin e parë.
Minutat e fundit ishin dramatike: skuadra e kuqe u ndëshkua me tre kartonë të verdhë brenda pak minutash, ndërsa në minutën e 87-të Bakalli u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ekipin me 10 lojtarë. Pak minuta më vonë, edhe kapiteni Ndrejaj u largua me kartonin e dytë të verdhë, duke e çuar Partizanin B në vetëm 9 lojtarë.
Megjithatë, kur gjithçka dukej e vështirë, në minutën e 101-të erdhi momenti vendimtar: Igli Gjeçi shënoi golin e fitores, duke shpërthyer festën në kampin e kuq.
Një fitore karakteri, një fitore skuadre – një fitore “spartane” në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për ekipin e Ergys Lugës, që vijon të mbetet në garë për një biletë në Kategorinë e Parë.
Kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi i fazës së dytë, Partizani B renditet në vendin e 4-t me 36 pikë, vetëm 4 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Oriku, por me një ndeshje më pak.
Ndeshjet e mbetura:
ndaj Bylis B (5 prill, në shtëpi)
ndaj Butrintit (12 prill, në transfertë)
ndaj Këlcyrës (19 prill, në shtëpi)



















