Miqësore | Partizani – Laçi 3-0

Miqësore | Partizani – Laçi 3-0 Partizani ka shfrytëzuar maksimalisht pauzën e kampionatit, duke zhvilluar një test miqësor në “Arenën e Demave” përballë Laçit. Të dyja skuadrat vinin nga një formë e mirë në 5 ndeshjet e fundit, ku Partizani kishte grumbulluar 11 pikë, ndërsa Laçi 13 pikë në Kategorinë e Parë, ku renditet në vendin e dytë dhe është shumë pranë rikthimit në Superiore.

Takimi u zhvillua me një minutazh të veçantë, me nga 60 minuta për secilën pjesë dhe me dy formacione të ndryshme për çdo fraksion. Në pjesën e parë, trajneri Kernaja hodhi në fushë Qirkon, Buxhelajn, Bytyçin, Janjevën, Kolën, Nondin, Muratajn, Qakën, Human, Kontreras dhe Kekon.

 

 

Të kuqtë dominuan gjatë gjithë 60 minutave të para dhe gjetën golin në minutën e 38’, me anë të Albers Kekos, pas një krosimi të saktë në zonë nga kapiteni Valentino Murataj. Që në minutat e para, Partizani krijoi raste të shumta me Kekon dhe Kontreras, ndërsa dy tentativa u ndalën nga shtylla dhe traversa. Për t’u përmendur mbetet edhe një penallti e paakorduar.

 

Në fundin e pjesës së parë pati minuta edhe për 15-vjeçarin nga Akademia, Fabio Hysenin, si dhe për 19-vjeçarin nga Gambia, Abdu Sarjo .

Me avantazhin minimal, por me dominim total, u mbyll 60-minutëshi i parë.

Në pjesën e dytë, Partizani  zbriti me një tjetër formacion, duke nisur nga porta e mbrojtur nga gardiani i U-19, Darjus Zadeja, i ndjekur nga Sembene, Martinez, Atanaskoski, Mehmeti, Ismaili, Kote, Shabani, Doumbia, Gudjufi dhe Sidibe.

Minuta kishte edhe për dy djemtë e Partizanit B , Fernando Ndrejaj dhe Enea Kokomani .

 

Edhe ky fraksion ishte vazhdim i lojës së bukur sulmuese dhe aksioneve të shpejta.

 Në minutën e 16’ të pjesës së dytë, Sekou Sidibe shënoi një gol të bukur nga brenda zonës, duke dyfishuar rezultatin. Ndërsa për golin e tretë mendoi Besar Gudjufi në minutën e 25’, me një goditje të saktë me kokë pas krosimit në detaj të Karlos Martinez , duke vulosur shifrat përfundimtare në 3-0.

Një fitore e pastër , në një test miqësor të vlefshëm në prag të përballjes së radhës në kampionat, ku të kuqtë do të zhvillojnë një sfidë vendimtare ndaj Vllaznia në “Arenën e Demave” fundjavën e ardhshme.