Pas gjithë kësaj jave, ka dhënë skuadra sinjalet e duhura se mund ta përmbysë humbjen e ndeshjes së parë –
O.Shehi: Duke pasur parasysh rezultatin e ndeshjes së parë skuadra kërkon të japë maksimumin. Tregon angazhim total, sepse dihet se çfarë duhet të bëjmë nesër për të arritur objektivin. Kam parë seriozitet, gatishmëri dhe përkushtim nga të gjithë çunat, si ata që kanë qenë pjesë e formacionit, edhe të tjerët. Nesër do të bëjmë maksimumin. Shanset nuk janë të vogla, sepse goli i fushës nuk është më. Ne duam të fitojmë me patjetër ndeshjen, nëse shkon apo jo në shtesë, do të jetë çështje tjetër. Angazhimi dhe besimi te skuadra është prezent.
Mendoni se e pengon ndopak skuadrën fakti që nuk ka arritur më parë një përmbysje të tillë në Europë –
O.Shehi: Në një kompeticion me dy takime, asgjë nuk vendoset në ndeshjen e parë. Duke marrë masat e duhura, mund të them se skuadra është e gjitha tejet e përqendruar. Që në ditën e parë që kemi ardhur në stërvitje, i kemi thënë skuadrës se ndeshja është e hapur. Do të kërkojmë në çdo moment të jemi të kujdesshëm. Objektivi ynë është që të kalojmë turin. Por gjithnjë me qetësinë e duhur, jo duke e kërkuar rezultatin jashtë logjikës. Sepse ashtu del edhe nga vetja, siç ndodhi atje, ku e vuajtëm pak nervozizmin dhe na ndëshkoi. Duhet të jemi shumë agresivë, sepse loja hapet dhe mbyllet në çdo moment. Në futboll ka situata që në shumë pak minuta loja të kthehet në favor. I kemi kërkuar djemve të jenë kërkues, të vendosur, sepse jemi të bindur që do të japim maksimumin për objektivin.
Çka u pa në ndeshjen e parë ishte një lloj mungese të vigjilencës në mbrojtje. Çfarë mund të bëhet më shumë?
O.Shehi: Ndeshja e parë ka dy tablo. Morëm nga një gol në çdo pjesë, por në të dytën luajtëm me 10 veta. Golin e pjesës së parë e humbëm nga mungesa e vëmendjes sonë, mungesa e gjendjes së “alertit”, duke e lënë kundërshtarin. Edhe pse ishte inferior në sulm, na mori penallti. Në pjesën e dytë është histori tjetër, sepse luajtëm me 10 vetë. Edhe pse skuadra u përgjigj ka gjëra të vogla që duhen rregulluar me patjetër. Një shkallëzim më i mirë, vendosje më e mirë, vigjilencë më e madhe e mbrojtjes mund të zgjidhë shumë situata.
Nervozizmi në ndeshjen e parë. Keni folur me lojtarë të caktuar për këtë çështje –
O.Shehi: Patjetër, patjetër. Ne që pas takimit kemi folur, sepse nuk mund të dalim nga vetja, edhe pse kundërshtari ishte agresiv deri në limitet e rregullores. Ne nuk duhet ta bëjmë, aq më tepër tani që kemi një ndeshje për të kthyer rezultatin. Nuk duhet të humbim kohë, por ta kthejmë në favorin tonë. Të mos e shpenzojmë kot. Ishte një anë negative, që duhet ta eliminojmë për ndeshjen e nesërme.
Mungesa e Rrapajt dhe largimi i Muratajt gjatë ditëve të fundit –
O.Shehi: Të dyja këto mungesa peshojnë shumë. Rrapaj mungon për arsye kartonësh, ndërsa për Muratajn unë di që ka një dëmtim dhe një dakortësim me klubin. Nuk di që ka largim nga skuadra. Janë dy mungesa që peshojnë shumë. Do të mundohemi që pjesa tjetër që futen në ndeshje të minimizojnë prezencën e tyre, sepse janë shumë të rëndësishëm. Do të shpresojmë shumë që këto mungesa të mos ndihen.
Në ndeshjen e parë pati ndikimin e vet edhe arbitrimi. Prisni që të merren masa në këtë drejtim –
O.Shehi: Unë nuk jam marrë me arbitrin përgjithësisht, por në disa momente loja e gjeorgjianëve i kalonte limitet e “fair-play”-t. Ashtu siç na ndëshkoi ne me kartonë, mund ta bënte edhe me kundërshtarin. Kishte momente kur ndonjë prej tyre mund të dilte me kartonin e kuq dhe në disa momente tonat mund të kishte një interpretim ndryshe dhe jo me dy standarde. Gjithnjë, sa i përket ndërhyrjeve, pastaj për vendimet dhe organizimin nuk kam dyshime. Thjesht arbitri nuk ishte në të njëjtën linjë në momentet e ndërhyrjeve.