Konferenca për shtyp e trajnerit Orges Shehi në prag të takimit ndaj Erzenit

Përballja ndaj Erzenit – 

O.Shehi: Fitoret janë fitore dhe sigurisht na ndihmojnë për moralin, aq më tepër kur janë në vazhdimësi. Kemi marrë maksimumin, jemi ngjitur në vend të dytë atë që kërkonim prej kohësh. Na duhet edhe një sforco nesër motivimi dhe karikimi dhe për ta mbyllur fundin e kampionatit prej 36 javësh e më pas për të hyrë në fazën e “Final 4”.

Ngjeshja e ndeshjeve ju ka ndikuar në aspektin fizik-

O.Shehi: Ne e dinim që fundi kampionatit do të kishte një ngjeshje ndeshjesh. Jemi munduar që të bëjmë rotacion të pjesshëm pa prishur strukturën e skuadrës. Nesër na rikthehet edhe Maget i cili ishte i pezulluar për arsye kartonësh.

Si e konsideroni Erzenin në raport me Kukësin –

O.Shehi: Janë dy skuadra që për fatin e tyre të keq kanë zbritur një kategori më poshtë matematikisht. Ndeshjet kanë veçori të ndryshme pasi ndaj Kukësit luajtëm në fushën e tyre, kurse ndaj Erzenit luajmë në fushën tonë. Mendoj se Erzeni ka lojtarë më cilësorë se Kukësi në përbërje. Lojtarë që shumë mirë mund të luajnë në çdo skuadër.

Impenjim ndryshe i skuadrës në këtë pikë të kampionatit –

O.Shehi: Për herë të parë luajmë në një kampionat të tillë që pas 36 javësh do të ketë edhe një “Final 4” ku do të vendoset titulli kampion. Aty do të jetë edhe përqëndrimi më i madh. Por deri sa të arrijmë në përfundim të 36 javëve të gjitha skuadrat kanë kaluar një pauzë në rezultate ose jo në impenjimin e duhur, sepse kanë menduar që “Final 4” do të jetë gjithçka. Mendoj që edhe ne kemi pasur momente të tilla, por kemi qenë të penalizuar edhe nga dëmtimet që nuk na janë ndarë. Shpresoj që në këtë pjesë të rëndësishme të kampionatit të na rikthehen të gjithë sidomos Cara dhe Taipi. Taipi është bashkuar të enjten me grupin por nuk duam të rrezikojmë për nesër. Cara është stërvitur veçmas dhe ende nuk është bashkuar me grupin.

Jeni në presion për 3 pikët nesër –

O.Shehi: Ne kërkojmë që ta ruajmë këtë vazhdimësi të fitoreve. Sot që flasim ne jemi të dytët dhe duhet me patjetër ta mbajmë këtë pozicion, që do të thotë që 3 pikët nesër janë detyrim. Nuk mendoj se skuadra do të jetë në presion kur çdo gjë e kemi në dorën tonë.

4 fitore radhazi. E gjen kjo periudhë në formën e duhur Partizanin –

O.Shehi: Na vjen mirë që në këtë pjesë të rëndësishme ne vijmë me një seri fitoresh. Edhe nesër duhet të bëjmë maksimumin për ta marrë fitoren e cila përkon edhe me fundin e kampionatit. Sigurisht që nga ana psikologjike është një plus. Sepse skuadra nuk është e ngurtë falë rezultateve që arrin. Mos harrojmë që hyjmë në një fazë ku edhe fati ka rolin e vet. Arritja në dy vendet e para është edhe një nga objektivat duke pasur parasysh edhe formulën. E rëndësishme është ta mbyllim me fitore nesër.

Misioni Partizanit për të ndërtuar një cikël si Skënderbeu –

O.Shehi: Ka gjëra të përbashkëta.Kushtet e mira të punës që nuk mungon asgjë Ka ambicien e drejtuesve që të jenë gjithmonë në majë dhe nuk kursehen për çdo gjë që i nevojitet klubit dhe synojnë përherë objektiva të mëdha. Një e përbashkët tjetër është që ka lojtarë cilësorë si atëherë kur luaja unë por edhe tani. Ndryshimi është se atëherë ne ishim shumë lojtarë të pjekur në moshë dhe kishim shumë vite dhe eksperincë mbi supe. Mendoj se të kesh një bosht një skuadër që të luaj për shumë vite bashkë është e vështirë edhe për shkak të tregut dhe ofertave. Kushtet janë shpresojmë që të marrim këtë kampionat pastaj vazhdimësia është shumë më e lehtë. Duhet fillimisht të kesh bazën e mirë , të kesh njerëz qqë janë ambicioz pastaj çdo gjë arrihet por do dhe durim.