PARTIZANI B – SHKUMBINI 2-1
Java 17 | Arena e Demave

Partizani B mori një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Shkumbinit në javën e 17-të, në një përballje të luftuar dhe me emocione deri në minutat e fundit në Arena e Demave.
Skuadra e drejtuar nga Ergys Luga kaloi në avantazh në minutën e 13-të, kur Saliu Sembene shfrytëzoi në maksimum një krosim të kapitenit Fernando Ndrejaj, duke dërguar topin në rrjetë me kokë. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë miqtë barazuan me Tambwe, pas një kundërsulmi nga krahu i majtë.
Në pjesën e dytë, Partizani B kërkoi me ngulm golin e fitores. Aktivizimi i Rushiti, Balla, Petritaj dhe Gibbo i dha më shumë energji lojës ofensivë të të kuqve.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 86-të, kur pas presionit të lartë Herdi Balla rikuperoi topin në zonë dhe Xheis Rushiti reagoi shpejt duke e dërguar në rrjetë për golin e fitores 2-1.
Me këtë sukses, Partizani B ngjitet në kuotën e 33 pikëve, vetëm 4 pikë larg kryesuesve të Orikut.
Në javën e 18-të të kuqtë do të jenë pushim nga kampionati, ndërsa të premten në orën 10:00 do të zhvillojnë një miqësore në Arena e Demave ndaj skuadrës suedeze FC Nacka.



















