KATEGORIA E DYTË | PARTIZANI B – BYLIS B 0:2
Hap fals për Partizanin B, humbje dhe polemika në sfidën vendimtare të sezonit .

Në javën e 20-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B, të kuqtë u mposhtën 0-2 nga Bylis B në “Arenën e Demave”, duke humbur terren të rëndësishëm në garën për një biletë direkte drejt Kategorisë së Parë.
Skuadra e drejtuar nga Ergys Luga u paraqit me disa ndryshime të detyruara në formacion, për shkak të mungesave të rëndësishme si Bakalli dhe kapiteni Ndrejaj.
Pavarësisht kësaj, Partizani hyri në fushë me synimin për të marrë maksimumin nga kjo përballje direkte.
Por sfida nisi në mënyrën më të keqe të mundshme.
Vetëm në minutën e 5-të, pas një gabimi në pasim dhe vendosjeje të gabuar në mbrojtje, Emini kaloi në avantazh miqtë, duke vënë menjëherë në vështirësi skuadrën vendase.

Reagimi i të kuqve ishte i menjëhershëm. Loja u zhvendos në gjysmëfushën kundërshtare dhe përpjekjet për barazim u shtuan.
Momenti më i diskutueshëm erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Mohanad Mando dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, një vendim që u kontestua fort nga kampi i kuq.
Në pjesën e dytë, Partizani vijoi të kërkonte golin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara.
Ndryshimet nga stoli nuk sollën efektin e pritur, ndërsa në minutën e 59-të, Bylis B shënoi edhe golin e dytë sërish me Eminin , duke i dhënë një goditje vendimtare ndeshjes .
Përpjekjet e Partizanit ishin të shumta por pa arritur tek goli .
Takimi u mbyll mes polemikash, me disa vendime të arbitrit Dishani që ngjallën reagime, përfshirë një penallti të munguar dhe një karton të kuq të pa dhënë.
Me fishkëllimën finale të gjyqtarit Dishani , takimi u mbyll me rezultatin 0:2 për miqtë , një humbje që ndalon vrullin e të kuqve dhe komplikon ndjeshëm objektivin për vendin e parë.
Tashmë, Partizani B do të kërkojë reagimin në dy ndeshjet e mbetura ndaj Butrintit në Sarandë dhe Këlcyrës në shtëpi .
* Gjyqtari ” Dishani “



















